Buhler: Krenohuni me FSK-në
Pëlqej
Vetëm disa muaj pas fillimit të procesit të funksionalizimit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në vjeshtën e vitit 2009 arriti kapacitetet e para operacionale, të cilat u sprovuan si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Ndërhyrja e parë e suksesshme jashtë Kosovës ishte në Shqipëri, përkatësisht në operacionin e shpëtimit dhe evakuimit të popullatës pas përmbytjeve në rrethin e Shkodrës në fillim të këtij viti.

Ministri i FSK-së në dorëheqje, Fehmi Mujota tha se procesi i ngritjes së kapaciteteve po shkon sipas planit të përcaktuar. FSK-ja tani ka 2.100 pjesëtarë aktivë dhe 400 rezervë. Ndërkaq, deri në fund të fitit 2011, FSK do të ketë 2.500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

Me arritjen e kapaciteteve të plota, hapet mundësia që, në koordinim me institucionet e vendit dhe NATO-n, të merren vendime politike dhe ushtarake, tha Mujota.

Forca e Sigurisë së Kosovës shkëlqeu me aftësitë e saj edhe gjatë ushtrimit fushor “Luani i Shkathet 3”, që u vlerësua lartë nga Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler.

“Unë vetëm do t’i kisha përgëzuar kolegët e mi nga FSK-ja për të arriturat e sotme. Kam parë një motivim të lartë tek pjesëtarët e FSK-së gjatë këtij ushtrimi dhe po e shoh që populli i Kosovës duhet të krenohet me FSK-në”, ka thënë Buler.

Duhet theksuar se NATO-ja, për herë të parë në historinë e saj, është përfshirë në ngritjen e një force siç është FSK-ja. Udhëheqësit e vendit dhe eprorët e FSK-së kanë deklaruar synimin, që një ditë Kosova të jetë anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Në fillim të këtij viti, FSK ka filluar një fushatë për rekrutimin e kandidatëve të rinj. Konkursi tjetër do të hapet në shkurt të vitit të ardhshëm.

Brenda këtij viti, FSK-ja ka nënshkruar një varg marrëveshjes bashkëpunimi me ministri të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-së, përfshirë Britaninë e Madhe, Holandën, Shqipërinë, Turqinë dhe Lituaninë, ndërsa paralajmërohen edhe marrëveshje të tjera.

Vetë procesi i ngritjes së FSK-së është duke vazhduar. FSK-ja do të ketë 2.500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, për të përmbushur misionin për të cilin është krijuar.
Shtuar më 16/11/2010, ora 16:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori