Brovina: Vetëm unë mund ta thërrasë seancën
Pëlqej
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka thënë se vetëm ajo mund ta thërras vazhdimin e seancës konstituive, e cila mund të mbahet javën e ardhshme. Por, para caktimit të seancës, Brovina ka kërkuar të gjendet një zgjidhje mes partive politike e jo të ketë përsëritje të dy seancave të fundit pasi në të parën shumica e deputetëve kishin shkelur Kushtetutën e në të dytën PDK kishte dështuar ta zgjidhte Arsim Bajramin për udhëheqës të Kuvendit, shkruan "Express".

"Mund të ketë seancë javën e ardhshme, por duhet të dihet se për çka mbahet ajo seancë", ka thënë Brovina, në një intervistë për Gazetën "Express".

"Gjatë javës së ardhshme do të sqaroj se kur do të mbahet seanca dhe do të kërkoj që të merren vesh. Sepse s’ka kuptim më këto mosmarrëveshje", ka shtuar ajo.

Sidoqoftë, Brovina thotë se secili deputet dhe parti politike e ka të qartë se vetëm ajo mund ta thërras seancën e Kuvendit të Kosovës dhe jo ndonjë deputet tjetër.

Ajo ka thënë se nuk e ka në plan të thërras më në konsultime partitë politike pasi qëndrimet e tyre po dihen.

Sidoqoftë, ajo ka përshëndetur veprimin e Presidentes për të gjetur ndonjë zgjidhje për të tejkaluar bllokadën politike.
“Kujtoj se edhe Presidentja, e cila për fat të keq nuk është këtu, duhet ta luajë rol ndërmjetësues”.

Deputetja Brovina për shkak të moshës i ka rënë të jetë Kryesuese e seancës konstituive e cila është bllokuar për shkak se PDK nuk i ka numrat për ta votuar Kryeparlamentarin, ndërsa, partive tjera nuk iu takon kjo pozitë pasi në zgjedhjet e mbajtura më 8 qershor kanë dështuar të dalin të parët.

Në këtë situatë, Brovina thotë se nëse s’ka marrëveshje mes partive politike është e kotë të thirret vazhdimi i seancës konstituive.

"Mos të turpërohemi edhe një herë. Seanca e radhës duhet të jetë përmbajtjesore e jo vetëm hajt të shkojmë formalisht dhe të mos gjejmë zgjidhje. Ose duhet të jetë seancë përmbajtjesore ose duhet ta lëmë krejt këtë punë", ka shtuar ajo.

Brovina thotë se as nuk i takon dhe as nuk dëshiron të marrë rolin e ndërmjetësueses pasi për zgjidhjen e bllokadës politike duhet të merren vesh liderët e partive politike.

"Nuk jam në rolin e imponueses por jam vetëm në rolin e respektimit të rregullave dhe të Kushtetutës", ka thënë Brovina. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 15:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori