Ligji për gjuhën shqipe, ende larg zbatimit (VIDEO)

BDI-ja vazhdon fushatën për kryeministrin shqiptar, duke e listuar edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si një nga të arriturat e mëdha të kësaj partie gjatë 18 viteve në pushtet.

UNË BESOJ!- ata që nuk besuan se gjuha shqipe do bëhet gjuha e dytë zyrtare në nivel shtetëror,ATA NUK BESOJNË EDHE NË NISMËN PËR KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR! – u shpreh Bujar Osmani, BDI.

Gjuha shqipe tashmë gëzon status të barabartë dhe formal ashtu si edhe flamuri jonë kombëtar – deklaroi Ali Ahmeti, BDI (10.06.2020).

Megjithatë edhe 2 vjet e gjysmë pas miratimit të Ligjit për gjuhët që avancon përdorimin e shqipes, ende nuk është bërë asgjë për zbatimin e saj. Kuvendi nuk arriti që para se të shpërbëhej t’i ndryshonte mbi 200 ligjet tjera që kryqëzohen me ligjin për gjuhët. Nga ana tjetër, mbeti në harresë grupi i punës që duhej të hartonte metodologjinë e zbatimit të vërejtjeve të Komisionit të Vencias. Nga Ministria e Drejtësisë vonesat i kanë arsyetuar me procedurat zgjedhore dhe me pandeminë.

Agjencia për zbatimin e ligjit ka konsideruar se mbi 90% e institucioneve nuk e respektojnë ligjin, por shkeljet mbeten të pandëshkuara për shkak të mos kompletimit të Inspektoratit. Njohësit e çështjeve politike thonë se BDI-ja nuk ka të drejtë ta konsiderojë zyrtarizimin e shqipes si punë të kryer e të kërkojë kryeministër shqiptar.

Assesi në fushatë askush nuk mund të përdor Ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pasi ai në esencë është i mangët, i cunguar, i pjesërishëm dhe në jetën reale të shqiptarëve nuk ka patur asnjë impakt sepse mund ta shohim çdo ditë se ai nuk ka përdorim, se nuk zbatohet sepse Kushtetuta nuk e ka përcaktuar zbatueshmerinë, por ka vënë një numër të madhe të labirintheve, thotë këtu mund të përdoret 20% atje të përkthehet pas gjuhës maqedonase si plotësim – deklaroi Hasan Jashari, Profesor universitar.

Zyrtarizimi i shqipes ka qenë pjesë e fushatës së të gjitha partive shqiptare, në veçanti e BDI-së e cila edhe kur ishte në pushtet në VMRO-në e quante të mbyllur ligjin për gjuhën por edhe tani kur është me LSDM-së, edhe pse meritat për ligjin për gjuhët i mori Zoran Zaevi dhe partitë tjera shqiptare.


Shtuar 16.06.2020 18:26