Braçe fajëson Thaçin për ‘dhunë’ ndaj Vetëvendosjes
Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Erion Braçe, ka dënuar dhunën e përdorur nga policia e Kosovës në dëm të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosja. Ai e ka cilësuar ndërhyrjen e policisë kosovare si barbare, ndërsa bën përgjegjës kryeministrin Hashim Thaçi.

“Lëvizja Vetëvendosje ka lajmëruar se pas ndërhyrjeve të dhunshme policia ka ndaluar thuajse gjithë lidershipin e Vetëvendosje-s, nënkryetarin, deputetë e udhëheqës të tjerë të saj dhe të protestës legjitime. Në të njëjtën kohë, në Siri dhe Kosovë ndodh kjo!”, ka thënë Braçe, raporton Lajmi i Fundit.

Braçe, i cili e ka shprehur hapur simpatinë e tij ndaj opozitës në Kosovës, prej ditësh po komenton protestën e Vetëvendosje, duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj saj. Sipas tij, arrestimi i deputetëve të opozitës është shfaqja më e keqe që po jep qeveria e Kosovës. “Hashim Thaçi, nuk goditet e nuk dhunohet kryetari i opozitës”, ka thënë Braçe.

Ndërsa deputeti tjetër socialist, Ditmir Bushati, përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetin social Facebook, ka thënë se Vetëvendosje do ta ndihmojë edhe Kosovën edhe Serbinë për të shkuar më shpejt drejt integrimit në NATO dhe BE!

“Barazia sovrane është thelbi mbi të cilën bashkëjetojnë fqinjët kudo në botën demokratike! Për sa kohë VV udhëheq protesta paqësore e bëhet promotore e një politike të begatë e parimore për qytetarët, mbështetur mbi një vendim të Kuvendit të Kosovës, ndjej neveri ndaj përbaltjes që tentohet t’i bëhet VV nga ata politikanë që të përbashkët mes tyre kanë veç pasurimin e shpërdorimin e besimit të qytetarëve e jo atdhedashurinë”, shkruan Bushati.
Shtuar më 17/01/2012, ora 21:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori