Blushi: Besoj në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë
Shkrimtari dhe deputeti socialist Ben Blushi ka folur për idenë e bashkimit kombëtar, duke thënë se beson se mund të ketë një bashkim edhe politik.

I ftuar në emisionin "Kronikë e pambaruar" të Diana Çulit, Blushi tha se kërkesa për bashkim nuk ka për tu zbehur.

“Shpresoj që nuk e kam gabim, por në të ardhmen Shqipëria do të ketë më shumë nevojë për t’u bashkuar sesa Kosova për Shqipërinë. Për ne ky është një ideal i pakonsumuar. Megjithëse brezat ndryshojnë, nevoja për një bashkim kombëtar nuk ka për të ndryshuar në një rrugë apo në një rrugë tjetër. Do të thotë se një ditë ka për të ndodhur, por konstatoj se Shqipëria do të ketë më shumë nevojë ta “kolonizojë” Kosovën, nuk dua të spekuloj me këtë që them, pra ta përfshijë, ta integrojë, për arsye kombëtare, rritjes, madhësisë, tregut, financave, fuqisë në rajon, Kosova mund të jetë pak më e ftohtë, për shkak se, dua ta them sinqerisht këtë gjë, nuk është se nga Shqipëria shkon një model i shkëlqyer në Kosovë i funksionimit të shtetit, kompromisit politik, cilësisë së qeverisë apo administrimit, shfrytëzimit të burimeve natyrore”, tha Blushi, transmeton INA.

Sipas Blushit, aftësitë politike idealiste janë më të mëdha në Kosovë se në Shqipëri, ku është provuar se për pushtet edhe luftohet me arme siç ishte 1997-ta./albeu.com/



Shtuar më 09/01/2015, ora 12:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori