Si do taksohen mjetet rrugore, riformatohet fatura e taksave, makinat që përjashtohen

Klima e ndryshimeve në transportin rrugor nuk ka të ndalur. Së fundmi, DPSHTRR ka “vënë dorë” edhe në faturën e taksave vjetore, duke i shtuar elemente të reja – kjo me qëllim që ta bëjë leximin e saj më të lehtë nga poseduesi i mjetit, e po ashtu, edhe nga policët e kontrollit rrugor. Informacionin, bashkë me faturën e re që do të marrë çdokush që paraqitet për të bërë pagesën e detyrimeve vjetore, e ka ndarë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

“Riformatojmë faturën e taksave të mjetit rrugor për të mirorientuar taksapaguesin, kontrollin rrugor (brenda e jashtë vendit), shoqëruar me informacion të plotë se si taksohet mjeti rrugor, si përcaktohet taksa e thjeshtë (TVMP) apo taksa e luksit (TVML), çdo udhëzim mbi çregjistrimin provizor, riaktivizimin e mjetit për qarkullim, afatet e taksave dhe kontrollit teknik të mjetit, çregjistrimi i përhershëm, përjashtimi nga taksat etj. Për një drejtues mjeti sa më të ndërgjegjësuar mbi detyrimet dhe të drejtat, të mbrojtur në çdo rast verifikimi, të ndihmuar për paqartësitë dhe të qartë me legjislacionin! Faturës i shtohen edhe elemente sigurie dhe leximi mes kodeve”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

Kjo risi nuk ndryshon asgjë në vlerën që do të paguajë qytetari për makinën në përdorim. Tarifa që paguhet për çdo mjet është vjetore, pra e vlefshme për 365 ditë. Nëse kalojnë dhjetë ditë dhe pronari i mjetit nuk kryen pagesën, gjobitet me një kamatëvonesë që përllogaritet në masën e 0.06% të shumës së detyrimit të papaguar, për çdo ditë që nuk e ka shlyer atë.

Ata që sapo kanë blerë një automjet, nisin pagesën e taksave nga muaji i regjistrimit deri në 31 dhjetor. Pra, nëse mjeti do të regjistrohet në datën 15 shtator, vlera që do të paguajë nis nga kjo datë deri në fund të vitit. Ndërsa në vitin pasardhës, nis pagimi i vlerës së plotë të taksës. Ndërsa në rast të çregjistrimit të mjetit në vitin pasardhës, paguhen taksat për periudhën 1 janar deri në muajin e çregjistrimit. Në rast të rifutjes së mjetit në qarkullim, paguhet taksa për periudhën nga muaji i futjes në qarkullim (përfshirë muajin ku ndodhet) deri në fund të vitit.

Sa i takon shërbimit të kolaudimit, detyrime që zakonisht paguheshin bashkë, në momentin që një posedues mjeti e çon atë për kontroll teknik, duhet të jetë çliruar më parë nga çdo lloj detyrimi.

Veç taksave, kusht për një mjet që të qarkullojë në rrugë është edhe kontrata e sigurimit, apo ajo që në përditshmëri etiketohet si “polica e sigurimit”. Edhe kjo është e detyrueshme për aq kohë sa mjeti do të jetë në qarkullim dhe mban përgjegjësi për pronarin e mjetit për dëme shkaktuar palëve të treta.

Jo çdo person që posedon një mjet është i detyruar të paguajë taksa. Janë një kategori mjetesh, referuar tabelës, që nuk janë të detyruara të shlyejnë taksat vjetore. Por kjo nuk nënkupton shmangie nga pagesa për siguracionin e makinës apo kontrollin teknik të saj.


Shtuar 15.01.2022 09:07