Biznesmeni i Erdoganit blen grupin mediatik opozitar në Turqi
Grupi më i madh mediatik opozitar në Turqi, Doğan Holding, është shitur ditën e mërkurë për një shumë prej 1.2 miliardë dollarësh.

Kompania nënë e gazetave “Hurriyet” dhe “Posta” sidhe televizioneve “Kanal D” dhe “CNN Turk” i është shitur konglomeratit tjetër të njohur si Demirören Media Group.

Disa vite më parë e njëjta kompani kishte blerë nga Dogan Holding edhe gazetat “Milliyet” dhe “Vatan”. Transaksioni gjigant pritet të bëhet publik nga vetë kompaninë mbrëmjen e sotme.

“Sabah” raporton se Demirören Media Group ka një partner të huaj në këtë transaksion, por nuk dha detaje të tjera mbi kombësinë apo emrin e kompanisë së huaj.

Në krye të konglomeratit Demirören Holding, është 79-vjeçari Erdogan Demirören, baba i Presidentit të Federatës Turke të Futbollit, Yildirim Demirören.

Familja Demirören njihet si e afërt me pushtetin teksa pas blerjes nga ana e tyre në vitin 2011 të gazetave opozitare nga Aydin Dogan, i njohur si opozitar dhe kritik e presidentit Erdogan, ka ndryshuar linjën editoriale të këtyre gazetave.

Në vitin 2014 është publikuar në internet edhe një përgjim telefonik, ku dëgjohet kryeministri i atëhershëm Recep Tayyip Erdogan duke kritikuar drejtpërdrejtë kreun e grupit Demirören për një titull gazete që kishte shqetësuar kreun e qeverisë. Gjatë kësaj telefonate, ai dëgjohet duke qarë, ndërkohë që i thotë Erdoganit: Si urdhëroni!

Konglomerati Demirören Holding operon me biznese të mëdha në fushat e energjisë, industrisë, turizmit, qendrave tregtare dhe mediave. /tvklan.al/
Shtuar më 21/03/2018, ora 15:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori