Bisedimet Kosovë-Serbi shumë të rëndësishme
Kongresisti amerikan Eliot Engel ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi janë shumë të rëndësishme dhe BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, pasi Serbia e Kosova duhet të hyjnë në Union së bashku.

Ai tha se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, por, sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë.

"Ka pasur përpjekje për të delegjitimiuar Kosovën. Shtatëdhjetë e pesë vende e kanë njohur Kosovën, por shumë të tjera nuk e kanë marrë këtë hap pasi ka një presion të madh mbi to. Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe u fitua nga Kosova. Kam besuar se shumë më tepër shtete do ta njihnin Kosovën pas këtij hapi, por ka pasur përpjekje të shtuara për ta bllokuar procesin. E gjithë kjo nuk është e dobishme", ka thënë Engel në intervistë për Evropën e Lirë.

Ai është i shqetësuar nga fakti se sheh një lloj tradite në sjelljen e BE-së që shpërblen Serbinë megjithë faktin se nuk ka bërë asgjë. /albeu.com/
Shtuar më 05/03/2011, ora 13:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori