Bisedime teknike për "plogështinë" e zbatimit të marrëveshjeve
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në mungesë të vullnetit për të zbatuar disa nga marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,këtë të hënën dhe të martë të tre palët do të zhvillojnë bisedime në nivel teknik, në Bruksel.

Në këto takime do të rishikohen marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analistët politikë në Prishtinë i cilësojnë si të paarsyeshme këto bisedimet, nisur nga fakti se marrëveshjet e arritura është dashur të zbatohen me afatet e parapara në kohën e arritjes së tyre.

Sociologu dhe analisti i çështjeve politike, Ismail Hasani thotë se në këtë drejtim përgjegjësinë më të madhe për moszbatimin e marrëveshjeve duhet ta mbajë Brukseli, si ndërmjetësues kryesor, transmeton Rel.

"Unë nuk e kam të qartë formatin e shkuarjes së delegacionit kosovar në Bruksel dhe cilat janë kërkesat e tyre. Në Bruksel ata mund të kërkojnë vetëm arsyen pse nuk ka filluar zbatimi i secilës nga marrëveshjet. 'Marrëveshjet të arritura', quhen gjërat, të cilat janë kryer në zyrat e Brukselit, për të cilat ka pasur pajtueshmëri nga palët dhe është dashur që proceset të ecin përpara", shprehet Hasani.

Ndërsa analisti tjetër, Imer Mushkolaj, konsideron se pala e Kosovës gjithmonë është ajo e cila bën lëshime më të mëdha karshi Beogradit kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura.

"Pala kosovare do të mundej fare lehtë që të zbatonte parimin e reciprocitetit në disa marrëveshje, në mënyrë që ta tregojë fuqinë e vet. Mirëpo, ne këtë deri tash nuk e kemi parë. Ne kemi parë thjesht një veprim jodinamik dhe një plogështi të palës kosovare në këto bisedime", theksoi Mushkolaj.

Zoti Hasani thekson se marrëveshjet, të cilat janë arritur, e të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve, në asnjë rast nuk është dashur të diskutohen, por vetëm të zbatohen.

Ndërkohë ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, me herët për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se në këto takime kryesisht do të bisedohet për problemet në moszbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. /albeu.com/
Shtuar më 28/09/2015, ora 12:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori