Kosovari kapet “mat” në Korçë, çfarë e çoi pas hekurave

Policia e Korçës ka goditur tre raste të trafikimit të klandestinëve, duke vënë në pranga një person dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia thotë se në kudër të operacionit të koduar “Perimetri” u arrestua shtetasi nga Kosova me iniciale A. G., 46. Ndërsa dy personat e shpallur në kërkim gjatë ndjekjes nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Emigrantëve u ishte premtuar se kundrejt parave do të kalonin drejt vendeve të BE.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur tre raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 46 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, i cili u kap nga punonjësit e Policisë Rrugore, në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, duke transportuar me mjetin furgon tip “Volksëagen”, në drejtim të Tiranës, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu filloi procedimi penal dhe po punohet intensivisht për kapjen e shtetasve A. K., 25 vjeç dhe A. Th., 49 vjeç, të dy banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, janë vënë në ndjekje të dy automjeteve, respektivisht fuoristradë tip “Benz” dhe mjetit furgon tip “Ford Transit”, me drejtues shtetasit e lartpërmendur, të cilët nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar dhe kanë braktisur mjetet e tyre në afërsi të fshatit Hudënisht, Pogradec, me 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 11.09.2020 11:42