Bild: Kumrija ende e bukur
Kumrija me nënën dhe motrën e saj
Gazeta e madhe gjermane Bild ka shkruar një artikull për gjetjen e vajzës së bukur kosovare, që humbi në kohën e luftës në Kosovë, Kumrien.
Fotoja e luftës impresionoi edhe kancelaren gjermane Anglea Merkel. Fotografi Daniel Biskup ishte këtu dhe e gjeti.

Kjo është historia e një vajze të bukur, por të trishtuar, që ka rigjetur sërish buzëqeshjen.

Fotoja, e shkrepur në vitin 1999 në një kamp të arratisurish në Maqedoninë Veriore, u bë e famshme në mbarë botën. Ajo është e varur sot në Muzeun Historik Gjerman- një imazh simbol i vuajtjeve të luftës në Kosovë, shkruan Bild.

Tani, 12 vite më vonë, gazeta Bild e ka gjetur sërish atë vajzë.

Shkrimi i plotë i gazetës Bild

“Ne e takuam Kumrijen në pazarin e qytetit të saj të lindjes, në Lipjan. Dhe mbetëm të befasuar! Vajza e kampit të të arratisurve, në atë kohë 18 vjeç, është sot 31 vjeç dhe sërish e mrekullueshme.

“Ejani, shkëlqen Kumrija, do u tregoj familjen time dhe shtëpinë tonë. Kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë.” Historia e Kumrijes fillon në janar të vitit 1999. Trupat serbe u vërsulën nga veriu në Kosovë, sulmuan fshatrat, shtëpi e familje. Ushtarët qëlluan burrat, përdhunuan gratë e goditën madje edhe fëmijët.

Është një luftë mes serbëve e shqiptarëve- lufta e Kosovës. “Kishim jashtëzakonisht shumë frikë. Motra ime kishte kërkuar që të arratiset me disa shokë nga kufiri i Maqedonisë. Shoferin e vranë. Ajo ia doli sërish të kthehej në shtëpi.

Kur serbët u afruan edhe më shumë, babai i Kumrijes vendosi: të gjithë duhet të arratisen. Kumria, mamaja e saj, Mevlidja, dy motrat, vëllai, gruaja e tij shtatzënë dhe tre fëmijët, më i vogli vetëm një vit e gjysëm.

Vetëm babai mbeti pas. Për të ruajtur shtëpinë. “Kishim një frikë të madhe, në mëngjes nuk e dinim nëse do ishim gjallë deri në mbrëmje. Gjithandej serbët digjnin fshatra.”

Në errësirën e darkës, Kumrija e familja e saj kaluan në një fshat fqinj dhe aty u hodhën në një tren. “Vagonat ishin të tejmbushur. Duhej të qëndronim në majë të gishtave. Fytyrat i kishim të ngjeshura për xhami. Gjithmonë e më shumë njerëz hipnin në tren. Fëmijët qanin. Ishte e tmerrshme”.

Në kufi vjen edhe goditja shokuese: me dhunë ushtarët e armatosur i zbresin të gjithë nga treni. “Mendova se mori fund. Qëndruam deri në tre orë në shi, në një të ftohtë të akullt. Disa vijonin të largoheshin. Në fund mbeta vetëm, mund të shihja familjen time përtej gardhit”.

Pas pesë orësh pritje, ushtarët e lanë edhe Kumrijen të shkonte. Është 21 prill 1999. Autobusët e sollën vajzën pranë familjes së saj në Stenkovac, në një kamp të arratisurish pak kilometra pas kufirit.

“Të lagur e duke u dridhur shkuam në kamp. Në çadra qëndronin nga 60 njerëz, kishte dyshekë të vegjël dhe krevate guri. Por të paktën ishim në siguri, larg luftës. Ishim të vdekur ndaj fjetëm menjëherë gjumë.”

Kumrija kaloi disa javë në këtë kamp, mes mijëra kosovarëve të tjerë. “Nuk kisha përveçse disa rroba në trup. Këpucët më ishin grisur. Dikur motra ime na solli nga Gjermania rroba për të veshur dhe për tu larë. Na solli dhe diçka për të bërë tualet. Më dha shpresë që të bëhesha e bukur në mes të atij mjerimi.”

Gjatë kësaj jave ajo takoi fotografin gjerman, Daniel Biskup. Ai shkrepi foton që e bëri atë të famshme. Në qershor një avion e çoi atë në Gjermani. Qëndruan pak, por thotë se Gjermania i dha shumë. Në janar të vitit 2000, u kthyen në Kosovë, ku gjetën gjithçka të rrënuar në mes të dimrit. Babai i vdiq pas pak. Shqetësimi për familjen e ka bërë atë një myslimane të devotshme.

Mban shami dhe lutet çdo ditë. Njerëzit nga Gjermania u sjellin para rregullisht. Në Kosovë nuk para ka punë. Pavarësisht bukurisë, ajo dhe motra Hyrija nuk janë martuar ende. “Po presim për të duhurin”, thotë ajo duke buzëqeshur.



Fotoja që ruhet në muze në Gjermani

Shtuar më 02/10/2011, ora 19:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori