BIK: Mos bini pre e radikalizmave
Pëlqej
Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar pas arrestimeve në masë që u bënë gjatë ditës së sotme.

BIK e ka mbështetur aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës dhe e sheh atë si masë të nevojshme për sigurinë e shtetit të Kosovës.

“Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit. Bashkësia Islame e Kosovës po ashtu edhe me këtë rast shprehet kundër atyre që përkrahin e promovojnë gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizimit të fesë”, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga BIK-u.

Bashkësia Islame nënvizon se siguria e qytetarëve, stabiliteti i vendit dhe jeta e të rinjve janë prioritete për një shoqëri të shëndoshë dhe se luftëtarët shqiptarë në Siri nuk i promovojnë aspak vlera të tilla.

BIK po ashtu sqaron se nuk duhet rënë pre e personave që predikojnë në emër të Zotit për dhunë, pasi që islami i vërtetë është vetëm paqja, toleranca dhe mirëkuptimi. /albeu.com/
Shtuar më 11/08/2014, ora 17:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori