Ndër të rrallat vajza në botë në këtë profesion, rrëfehet pilotja shqiptare: Fluturimi im më i veçantë dhe planet për në Shqipëri

Në një vend të vogël si Shqipëria ,habitesh kur dëgjon për vajza dhe gra të cilat korrin suksese në fusha të cilat janë ende të paeksploruara në vendin tonë, siç mund të jetë ajo e aviacionit. Por jo vetëm për vendin tonë, pasi në të gjithë botën vetëm 7% janë të gjinisë femërore. Prandaj përtej habisë, është e pamundur të mos ndihesh krenar dhe shpresëplotë për horizonte të reja zhvillimi dhe emancipimi që në fund të ditës janë shembuj konkret, si historia që do ju tregojmë sot.

Ajo quhet Xhesina Xhika dhe është nga një fshat i vogël i rrethit të Elbasanit, fëmijë i një familjeje emigrantësh në Greqi, vend ku dhe ka kaluar fëmijërinë e saj.

“Në moshën 14 vjeçare, jemi kthyer nga Greqia në Shqipëri ku dhe kam vazhduar kolegjin greko-shqiptar “Arseiko e Tiranës”. Më pas kam ndjekur studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik të Tiranës për degën Financë. Pas përfundimit të studimeve Bachelor kam nisur kërkimet për punë dhe pasi jam vënë në kontakt me një zyrë punësimi kam arritur të fitoj një punë në Dubai. Si fillim kam punuar pranë një kompanie telekomunikacioni, në fushën e marrëdhënieve me klientin dhe shitjeve. Gjatë kohës së punës, shumë kolegë më kanë shtyrë që të aplikoja në kompani të ndryshme ajrore si stjuardesë. Pas shumë aplikimeve dhe intervistave, kam arritur të filloj punë në një kompani ajrore në Dubai”, rrëfen Xhesina.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Xhesina Xhika|PPL Holder (@jessythepilot)

“Tashmë jam pjesë e aviacionit prej tre vitesh, por që në ditën e parë të trajnimit si stjuardesë e ndieva që dua të jem pjesë e aviacionit përherë. Ndoshta ka ndikuar fakti që kam qenë e rrethuar me njerëz të apasionuar pas avionëve dhe fluturimeve apo ndoshta ngaqë kam kaluar shumë kohë në aeroporte dhe avionë që vendosa të marr hapin e rradhës për t’u bërë pilote. Jam shumë e vetëdijshme që jam me fat që ndodhem në një ambjent të tillë, e rrethuar nga njerëz më shumë vite eksperiencë në këtë fushë, që mund të ndajnë historinë e tyre me mua, duke me këshilluar dhe udhëzuar në këtë udhëtim. Në fluturimin tim të parë si stjuardesë kam qëndruar te kabina e pilotit, gjatë ngritjes dhe uljes së avionit dhe e kam parë për herë të parë nga afër se çfarë konkretisht bën një pilot e se si fluturon një avion. Ka qenë një udhëtim gjatë natës dhe më kujtohet se sa e magjepsur jam ndierë me imazhin e një avioni të kontrolluar nga një person i vetëm në një qiell të hapur e plot yje. Pikërisht në atë moment i thashë vetes: “ Sa bukur do ishte sikur të ishe ti ajo që piloton këtë avion. Pse jo ? Bëhu pilote, bëhu. “ Që nga ajo dita, gjëja e vetme që mendoja ishtë dëshira e atij momenti për t’u bërë pilote. Kështu kam nisur kërkimet për trajnimet e nevojshme, kohëzgjatjen, kostot, vendet e mundshme ku mund të studioja etj. Para një viti kjo dëshirë u kthyer në realitet gjatë fluturimit tim të parë në trajnim”, thotë pilotja per Living.

Por a është i vështirë ky profesion?

“Mendoj se të jesh pilote është një nga profesionet më të bukura dhe të veçanta që ekziston. Të ndash një pjesë të madhe të jetës midis tokës dhe qiellit, të gjendesh në ajër midis reve, të shohësh botën nga lart, të vizitosh vende të ndryshme, të takosh njerëz të kulturave dhe ideologjive nga më të larmishmet, janë veç disa nga bukuritë që të ofron ky profesion. Normalisht që si gjithçka tjetër, të jesh pilot apo të bëhesh pilot ka vështirësitë e veta. Mendoj që për të gjithë studentët pilot, vështirësia më e madhe qëndron te kostot e larta që kërkon ky trajnim. Ato ndryshojnë në varësi të vendit ku bëhet trajnimi dhe licencave që zgjedh për të bërë. Për të dhënë një vlerë si pikë referimi minimumi që duhet të shpenzosh për t’u bërë pilot i pajisur me licencën komerciale, e cila të jep mundësi për të aplikuar nëpër kompani të ndryshme ajrore, është rreth 50 mijë euro. Përsa i përket pjesës praktike të fluturimeve, besoj se herët a vonë, sado e vështirë të jetë për t’u mësuar një proçedurë apo një manovër, me punë dhe përpjekje arrihet gjithçka. Në rastin tim për shkak të faktit që jam në marrëdhënie punë gjatë kohës që bëj trajnimin më është dashur të zgjedh opsionin modular, diçka e ngjashme me termin part-time. Në përgjithësi të gjitha shkollat do të ofrojnë mundësinë të realizosh çdo kurs në mënyrën full-time apo part-time.”

Fluturimi i parë:

Fluturimi im i parë ka qenë në janar të vitit të kaluar. Ka qenë një ditë shumë emocionuese që kam pritur gjatë. Dita më e veçantë mbetet sigurisht dita që kam bërë fluturimin tim të parë e vetme. Ajo ndjesia që je e vetme në ajër duke pilotuar avionin pa ndihmën e askujt është adrenalinë më vete. Më kujtohet që kur kam ulur avionin për herë të parë kam qenë shumë e lumtur për mundësinë që të përjetoja një emocion të tillë. Të pilotosh një avion e të gjendesh në ajër, të shohësh botën nga lart e kupton se sa të vegjël jemi si njerëz në këtë jetë. Sa herë që avioni ngrihet nga toka e ndiej vete time të lirë sikur  jam unë, ajo që ka krahë.

Ëndrra ime është që të pilotoj sa më shumë avionë të llojeve të ndryshme. Me siguri një ndër synimet kryesore është që të fluturoj për aviacionin civil nëpër kompani të ndryshme ajrore që të këm mundësi të pilotoj avionë të tipir Airbus dhe Boeing, veçanërisht Boeing 747 ose siç njihet ndryshe, “Mbretëresha e Qiejve”. Vizioni më i largët për të ardhmen mbetet hapja e një shkolle pilotimi në Shqipëri në mënyrë që rinia shqiptare të ketë mundësi të njihet me këtë profesion të bukur dhe të veçantë. Ndiej si detyrë personale që këtë mundësi që unë e kam marrë jashtë Shqipërisë, ta pasoj të brezat e ardhshëm./living/