Nisin hetimet pas helmimit të qytetarëve me ujë të pijshëm në Kukës, merren mostra në depon qendrore dhe në banesa

Pas ngjarjes së djeshme në Kukës, ku shumë qytetarë u paraqitën me simptoma helmimi, policia njofton se kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Për të përcaktuar se ngase janë helmuar qytetarët, janë marrë mostra nga depot qendrore të ujit dhe nga banesat e qytetarëve.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës, pas publikimit të videove në rrjetet sociale, me pamje nga rubinetet e ujit të pijshëm në fshatin Shtiqen, që dyshohet të jetë i ndotur, kanë nisur menjëherë hetimet për këtë rast.

Shërbimet e Policisë kanë marrë kontakt me specialistët e ujësjellësit të cilët kishin dijeni për ndotjen, dhe më pas kanë shkuar  në Spitalin Rajonal Kukës, ku kanë konstatuar një numër të lartë personash nga disa fshatra të Kukësit, që janë paraqitur me simptoma helmimi.

Grupi hetimor i ngritur së bashku me specialistët e ISHSH Kukës, ka marrë mostra të ujit tek depoja qendore dhe në banesat e qytetarëve në të cilat ka patur ndotje uji, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të ndotjes.

Po punohet për të marrë deklarimet e mjekëve, të cilët nuk kanë njoftuar në organet e rendit, në lidhje me këtë situatë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ndotjes së ujit dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të personave përgjegjës./albeu.com


Shtuar 27.06.2022 18:08