Ndezi zjarr në ullishte, por i doli jashtë kontrollit, 73-vjeçari në Poliçan asfiksohet dhe vdes

Një 73-vjeçar nga Poliçani ka humbur jetën paraditen e sotme pasi një zjarr i ndezur në ullishte nga i moshuari doli jashtë kontrollit.

Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasi F. T., 73 vjeç, ka ndezur zjarr në ullishten e tij për të djegur mbeturinat.

Zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur në sipërfaqe të madhe toke.

Shtetasi F. T. nuk ka njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe as ato të Policisë, por ka tentuar ta fikë vetë zjarrin.

Gjatë tentativës për të izoluar përhapjen e flakëve, 73-vjecari është asfiksuar dhe për pasojë ka humbur jetën.

Pas njoftimit të marrë nga kryeplaku i fshatit Plashnik, në lidhje me ngjarjen, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/