Beogradi kërkon shkarkimin e Ministres Jevtiç
Pëlqej
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili ka yhvilluar sot një takim me përfaqësuesit serbëve në Kosovë, ka kërkuar që deri më 31 dhjetor të tërheqin të gjitha vendimet të cilat ai i ka quajtur të dëmshme.

Njëri nga vendimet është ndërrimi i Lubomir Mariçit nga posti i ministrit të MAPL-së dhe emërimi në vend të tij i Mirjana Jevtiçit nga kryeministri Mustafa.

Kështu ka deklaruar i ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriç, për agjencinë "FoNet", pas përfundimit të takimit të kryeministrit serb me përfaqësuesit politikë serb të Kosovës.

Sipas Gjuriçit, Vuçiç ka thënë se serbët duhet ta respektojnë këtë afat nëse dëshirojnë të marrin pjesë në politikën unike të serbëve dhe të shtetit të Serbisë në Kosovë.

Ai ka shtuar se biseda e sotme në Beograd nuk ka qenë bisedë partiake, por bisedë se si duhet të zhvillohet në mënyrë unike politika e popullit serb në Kosovë.

"Nëse dëshirojnë që edhe më tej të marrin pjesë në atë që quhet politikë unike e serbëve dhe e shtetit të Serbisë në Kosovë, ata të cilët në mënyrë të pavarur dhe pa vendim të Qeverisë së Serbisë kanë marrë vendime të dëmshme politike për ndërrimin e Lubomir Mariqit duhet që deri më 31 dhjetor të tërhiqen në mënyrë që të ruhet veprimi unik i serbëve", ka thënë Gjuriç.

Ai ka theksuar se duhet të tërhiqet edhe Mirjena Jevtiç e cila është vendosur në vend të ministrit Mariç.

Mirjana Jevtiç është emëruar nga kryemistri Mustafa në krye të MAPL-së pas shkarkimit të Lubomir Mariçit. /albeu.com/

Shtuar më 26/12/2016, ora 14:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori