BE-ja pret ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi
Komisioneri për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka folur për mundësitë që shtetasit e Kosovës të lëvizin lirshëm në shtetet e Schengenit.

Në një intervistë për gazetën “Tema”, Hahn thotë se kushtet e paraqitura më parë nga Komisioni Evropian, siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, vlejnë ende dhe se pret nga institucionet e reja që të punojnë në këtë drejtim.

Z. Hahn, Kosova mbeti i vetmi vend në Ballkan që ka nevojë për viza në mënyrë që të udhëtojë në territorin e BE-së. Ky izolim ka sjellë një migracion masiv të paligjshëm duke sjellë një rrezik të madh. Cili është plani i BE-së për zgjidhjen e këtij problemi?

E kuptojmë rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Komisioni ka lëshuar një propozim për liberalizimin e vizave me Kosovën në maj të vitit 2016. Ky propozim parashtron dy kërkesat e mbetura: forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Trajtimi i këtyre kërkesave duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i qeverisë së re të Kosovës dhe i parlamentit të saj.

Kosova përfundoi zgjedhjet parlamentare. Cilat janë shanset që qytetarëve të saj të mos u kërkohet më vizë për të udhëtuar në BE?

Prioriteti për Kosovën tani është të formojë një qeveri të bazuar në shumicën parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.

Çdo qeveri e re do të duhet të angazhohet në perspektivën e vendit ne BE dhe të kryejë reforma thelbësore në veçanti ato të sundimit të ligjit dhe ekonominë si edhe të angazhohet seriozisht në dialogun me Serbinë. Ajo duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve të saj dhe liberalizimi i vizave është një nga pritshmëritë kryesore. Këto do të jenë vendimtare për Kosovën që të përparojë në rrugën e saj evropiane për të cilën jemi të angazhuar.

Komisioni është i gatshëm të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugës, por përgjegjësia qëndron te politikanët e Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 11/07/2017, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori