BE dhe Ballkani në Gjermani
Pëlqej
nga Albinot Maloku


Njëzetetetë gushti i këtij viti po mendohet të futet si datë e veçantë në histori për shtetet e rajonit të Ballkanit, që si kategori politike ballkanasit po e imponojnë termin, Ballkani Perëndimor.

Kryeministrat, ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë të Shqipërisë, Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kosovës dhe instruktores së këtyre vendeve se si hyhet në UE, Kroacisë do të mblidhen në Berlin me ftesën e Gjermanisë.

Në Gjermani do të ulen për të biseduar për të ardhmen e shteteveBallkanit, Unioni Evropian dhe shtetet e lartë-përmendura. Tema dhe qëllimi i takimit janë të njohura: Ridefinimi real i të ardhmes evropiane për Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht e çdo shteti të këtij rajoni veç e veç.

Qasja dhe angazhimi i Berlinit për Ballkanin po vlerësohet si shumë e nevojshme dhe në kohen e duhur. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë disa përparime në këto njëzet vitet e fundit, por prapë ato kanë ngelur në një rreth me dallime shumë të vogla të përparimit nga njëra tjetra.

Unioni Evropian përmes konferencave të tipit “UE – Ballkani Perëndimor” ka vazhduar të ketë qasje të perspektives evropiane e integruese për shtetet e Ballkanit, por proceset kanë ecur me këmbët e breshkës. Ndërrimi i politikave dhe strategjive që UE ka pasur ndaj rajonit të Ballkanit më shumë kanë bërë që të krijohet konfuzion se sa perspektiv evropiane.

Prej konferencës “UE – Ballkani Perëndimor” të mbajtur në Zagreb në vitin 2000, përmes asaj në Sarajevë në vitin 2010 e deri tek kjo e fundit e cila do të mbahet në Berlin, pra në vitin 2014, Unioni Evropian ka treguar që nuk ka politik të përbashkët e strikte që do ta ndjek për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

-II-

Unioni Evropian përveç kritereve të Kopenhagës është mbështetur edhe në disa instrumente të rëndësishme e konkrete për shtetet e Ballkanit.

Këtu fjala është për disa lloje të marrëveshjeve që rregullojnë raportet në mes të shteteve të dala nga shpërbërja me luftë e ish-Jugosllavisë, kushtet paraprake janë ato të zhvillimit ekonomik të këtyre shteteve edhe përmes ndihmës ekonomike nga UE, nevoja e bashkëpunimit në mes shteteveBallkanit, përkrahja dhe orientimi i dialogjeve politike nga ana e UE të niveleve të ndryshme në mes të këtyre shteteve si dhe mbështetja e një numri të bashkëpunimeve të disa formave për shtetet e Ballkanit.

Të gjitha këto instrumente të përdorura nga UE për këto shtetet si synim kanë perspektiven evropiane të rajonit. Mirëpo, UE në shumë raste është dëshmuar e pa bashkuar karshi qëllimit të saj për perspektiven evropiane të Ballkanit. Pas të gjithë këtyre konferencave të tipit “UE – Ballkani Perëndimor”, UE ka përcaktuar kushte të veçanta për shtetet e Ballkanit.

Mirëfilli dihet se politika e zgjerimit e UE ndaj Ballkanit është mekanizëm strategjik e cila ka synim përshpejtimin e paqes, demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe sigurisë në Evropë. UE sipas kësaj, prej vendeve veç e veç të Ballkanit pret të mos shuhet interesi i tyre për anëtarësim dhe integrim në UE.

Nga Mali i Zi pret vazhdimin e bisedimeve dhe përmbushjen e kritereve që priten nga ajo, duke e matur nivelin e realizimit të kërkesave të UE. Mali i Zi ka ende punë në arritjen e një reforme politike dhe ekonomike, edhe pse si vend ka një stabilitet të pranuar.

Serbia pas fillimit të bisedimeve me UE për anëtarësimin e saj në bazë të “skriningut” duhet të vazhdoj angazhimin e saj, në mënyrë që të vërehet realizimi i të arriturave. Serbia duhet të tregohet e aftë të respektoj kërkesat e dala nga bisedimet dhe të dëshmoj korrektësinë e saj karshi UE. Duke respektuar qëndrimin e disa shteteve të UE në lidhje me statusin e Kosovës, marrëveshja e stabilizimit dhe asocimit me Kosovën duhet të jetësohet. Angazhimi i UE për Kosovën duhet të vazhdojë dhe sidomos UE të tregohet më shumë e bashkuar në qëllimet e saja karshi Kosovës, por edhe Kosova ka shumë detyra të cilat i ka parashtruar UE.

Bosnje dhe Hercegovina edhe pse ka pasur rezultate që prej mbarimit të luftës, ajo sot është në një pozicion ndoshta më të keqin në këto 20 vite të pas luftës.

UE edhe ndaj BeH nuk ka qasje të bashkuar në lidhje me rrethanat politike të cilat po zhvillohen në vend. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka për tu angazhuar në shumë fusha mirëpo, UE është e interesuar që bisedimet për anëtarësim të vazhdojnë sipas lejes së KE. Shqipëria ka marr statusin e kandidatit për anëtarësim, dhe fillimi i bisedimeve do të varen sipas UE nga përparimi i mëtutjeshëm i reformave.

-III-

Sot, shtetet e Ballkanit pavarësisht se mund të presin nga konferenca e Berlinit një angazhim shumë më konkret të Unionit Evropian, ato përderisa nuk i mendojnë kushtet e parashtruara si nevojë fillestare për veten e tyre, për qytetarët e tyre, UE do të vazhdoj me avazin “tërhiq e mos e këput”.

Është shumë e qartë se UE edhe brenda vetës ka probleme jo të pakta, ka një politik që ende nuk po dëshmohet si e bashkuar, por disa shtete brenda UE janë treguar mjaftë të gatshme, e të sinqerta të shtyjnë qasjen e perspektives evropiane për shtetet e Ballkanit.

Realisht sot, të gjitha shtetet në rajon më shumë po din të prodhojnë kriza se sa perspektiv evropiane. Përderisa do të kemi më shumë politikan të pasur e qytetar të varfër vështir se shtetet e Ballkanit do t’i dëshmohen UE-s se janë pjekur kushtet për integrim. /albeu.com/
Shtuar më 27/08/2014, ora 15:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori