Nga Ukraina, në Siri dhe Mianmar: Kjo e jona është një botë refugjatësh

Nga Max Hastings “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të jesh një refugjat – i shkëputur nga shtëpia, miqtë, pasuritë, kultura – nuk është kurrë më pak sesa një telash i kobshëm. Vitin e kaluar, regjisorja uellsiano-egjiptiane Sally El Hosaini realizoi një film të mrekullueshëm, “Notarët”, bazuar në historinë e vërtetë të dy motrave të reja siriane që ikin nga atdheu i tyre i shkatërruar.

Në të ekziston një skenë në të cilën vajzat dhe shumë të tjerë përpiqen të kalojnë natën midis Turqisë dhe një ishulli grek: gomonia e tyre e mbingarkuar dhe që fut ujë nis që të fundoset. Dy vajzat, sportiste dhe dikur aspirante për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, hidhen heroikisht në ujë për të lehtësuar ngarkesën. Ashtu si çdo film, edhe ky përshkruan në detaje llojin e sprovës që duhet të përballojnë shumë të arratisur të tillë.

Në nivel global, 2023-shi kërcënon të jetë viti më i keq që nga viti 1945 sa i përket shpërnguljes së popujve nga vendlindja e tyre. Një përqindje tejet të madhe përbëjnë viktimat e presidentit rus Vladimir Putin. Rreth 13 milionë njerëz, gjysma e popullsisë së Sirisë, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të klientit të Putinit, Bashar al-Assad dhe fuqisë ruse që e mbështet atë.

Prej tyre, shtatë milionë janë larguar tërësisht nga vendi, ashtu si notarët e filmit. Ndërkohë, 14 milionë ukrainas janë katandisur në të njëjtën gjendje të vështirë pas pushtimit rus të vendit të tyre. Shumë prej tyre u është dhënë strehë në Evropën Perëndimore. Gati 100.000 kanë hyrë në SHBA nën programin e presidentit Joe Biden “Të bashkuar për Ukrainën”.

Është inkurajuese të shohësh bujarinë me të cilën familjet në të dyja anët e Atlantikut kanë hapur dyert dhe kuletat e tyre për të zhvendosurit. Përvojat kanë qenë të përziera. Disa i shohin refugjatët më simpati, dhe këta të fundit duken të etur për të bërë më të mirën nga jeta e tyre e re dhe mbi të gjitha për të punuar.

Të tjerët tregojnë histori më pak të lumtura, dhe presin me padurim largimin e tyre. Kur jeton afër me të huajt, është e lehtë të shfaqësh dhembshurinë për disa ditë. Por është shumë më e vështirë ta ruash për shumë muaj frymën samaritane. Shumë ukrainas u larguan në fillim nga vendi me pritshmëri jorealiste.

Në fillim të këtij viti fola në një darkë në një qendër pritjeje për ukrainasit në Londrën Perëndimore. Njëri prej tyre më tha:“Ata mendojnë se do largohemi para se të mbarojë vera. Do të jetë e vështirë kur ata të kuptojnë se kjo gjë nuk do të ndodhë”.

Në fakt, kështu po ndodh. Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, tha javën e kaluar: “Kam frikë se pas një kohe ne do të përballemi me një valë

të dytë emigrimi që lidhet me dimrin në Ukrainë. Dhe pastaj çfarë do të bëjmë?”.

OKB-ja vlerëson se rreth 1/3 e popullsisë së Ukrainës është detyruar të largohet nga shtëpitë e saj. Gati 5 milionë ukrainas janë regjistruar për përfitime të ofruara nga Bashkimi Evropian, të drejtat e qëndrimit, kujdesit shëndetësor dhe pastaj tek puna. Rreth 1.5 milionë janë regjistruar vetëm në Poloni.

Tani që rusët po kryejnë sulme sistematik me raketa mbi infrastrukturën civile të energjisë dhe komunikimit të Ukrainës, gjendja e njerëzve po përkeqësohet. Çdo ditë në kufirin polak ka skena tronditëse kur njerëzit e goditur marrin rrugën e dhimbshme për të ikur nga vendi dhe kultura e tyre, në shoqëri ku nuk njohin askënd, gjuhën e së cilës nuk ka gjasa ta flasin. Ata duhet të qëndrojnë në mërgim ndoshta për vite me radhë. Për më tepër, refugjatët po bëhen një pjesë e gjendjes kronike të planetit, me pasoja shumë të rënda politike, sociale dhe ekonomike. Në Azi, diktatura brutale ushtarake e Mianmarit ka shtyrë 1 milionë Rohingya të emigrojnë në Bangladeshin fqinj. Këta njerëz, ashtu si ukrainasit dhe sirianët, nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të linin pas një vend të shkretë të krijuar nga njeriu.

Megjithatë, një mori refugjatësh të tjerë nga Afrika dhe Amerika Jugore dhe Qendrore ikin drejt veriut kryesisht nga varfëria, në kërkim të një jete më të mirë. Ata bëhen emigrantë ekonomikë. Rreth 6 milionë njerëz të tillë kanë ikur nga Venezuela. Skenat e përditshme në kufirin SHBA-Meksikë e theksojnë shkallën e eksodit të vazhdueshëm nga Amerika Qendrore.

Javën e kaluar, një burim i qeverisë britanike pohoi se “një numër thuajse i pafundëm” emigrantësh të huaj po përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani. Vëmendja e medias përqendrohet aktualisht tek shqiptarët që kalojnë Kanalin Britanik me gomone.

Por një zëdhënës i qeverisë thotë: “Edhe sikur t’i ndalonit të vijnë shqiptarë të tjerë, hyrja klandestine do të vazhdonte… me varka të mbushura këtë herë nga somalezë, eritreanë ose afganë që nuk kanë mundësi të paguajnë po aq sa shqiptarët”.

Disa prej nesh kanë argumentuar për vite me radhë se emigrimi – veçanërisht por jo ekskluzivisht nga Hemisfera Jugore për në atë Veriore – do të jetë një çështje po aq sfiduese për qeveritë e shekullit të XXI-të sa ndryshimi i klimës. Por ende pak njerëz janë ndërgjegjësuar mbi shkallën e tij të ardhshme.

Logjika ekonomike argumenton se të gjitha demokracitë e përparuara duhet të pranojnë emigrantë, jo thjesht për shkak të humanizmit, por edhe për hir të interesit vetjak: për të kompensuar mungesën e madhe demografike të punëtorëve të lindur në vend.

Megjithatë, ndër nxitësit kryesorë të ekstremizmit nacionalist dhe racist në mbarë botën është armiqësia ndaj ndryshimeve të kërcënuara në përbërjen etnike të shoqërive, qofshin ato në SHBA, Evropë apo Australi. Demagogët e bardhë dhe mbështetësit e tyre janë të imunizuar ndaj argumenteve ekonomike. Ata nuk duan më shumë të huaj.

Refugjatët nuk janë një fenomen i ri. Gjatë gjithë historisë, lufta dhe uria kanë nxitur zhvendosje të popullsisë, dhe shumë prej tyre përfshijnë vuajtje të tmerrshme për të zhvendosurit. Megjithatë dikur nuk kishte asnjë media. Përmasat e popullsisë ishin shumë më të vogla. Dhe njerëzimi ishte më mizor.

Asokohe nuk ekzistonte ndjeshmëria e madhe që shihet sot ndaj fatit të viktimave, për të cilat shumica e njerëzve nuk dinin asgjë. Nëse ata mbyteshin, askush nuk e vinte re. Në shekullin XX-tëqë ishte tejet vrastar, qindra mijëra njerëz u vranë ose u larguan si pasojë e konflikteve ballkanike të para vitit 1914.

Dhjetëra miliona kinezë u zhvendosën si pasojë e pushtimit japonez të vitit 1931 dhe luftërave që pasuan, dhe shumë prej tyre vdiqën. Revolucioni dhe lufta civile e Rusisë, e ndjekur nga spastrimet e Stalinit të viteve 1930 dhe politikat e tij bujqësore, ishin përgjegjëse për arratisjen dhe vdekjen e shumë më tepër njerëzve sesa Hitleri i shkaktoi BRSS, të paktën deri në vitin 1942.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë vende të tjera kanë përjetuar emigrime refugjatësh: India, pas ndarjes së vitit 1947; Palestina, pas krijimit të Izraelit; Kina, pas triumfit të Mao Ce Dunit; Koreja dhe Vietnami, pas konflikteve të tyre; dhe shumë të tjera, duke përfshirë viktimat e shumë luftërave civile afrikane.

Ata nga ne që kanë dëshmuar një ose më shumë nga ato lëvizje të tmerrshme njerëzish nuk i harrojnë kurrë ato. Në jetën tonë të rehatshme në vendet demokratike, ne e marrim si të mirëqenë njëfarë sigurie si nga uria po ashtu edhe nga dhuna. Kur shohim se të tjerët detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre, e kuptojmë se sa të privilegjuar jemi.

Fatkeqësitë natyrore e kanë goditur gjithmonë njerëzimin – përmbytjet, uraganet, tërmetet etj – por shumë të tjera kanë ndodhur për shkak të veprimeve të qëllimshme të njerëzve të këqij. Për shembull, miliona ukrainas dhe sirianë, po vuajnë sepse një njeri si, Vladimir Putini i Rusisë, e ka dashur këtë gjë. Viktimat e tij nuk do të harrojnë apo falin ndonjëherë. As ne nuk duhet të harrojmë.  /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 17.01.2023 23:52

Tags: