Grupi i zjarrit sërish në aksion, Mexhiti: Grubi dhe Osmani me përformancën më të dobët në ekzekutiv

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti bashkë me disa përfaqësues nga kjo parti, të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” dhe deputetin Kastriot Rexhepi, shprehën pakënaqësinë për punën e bashkëpartiakëve të tyre, që janë në pozita qeverisëse. Fillimisht Mexhiti numëroi projektet e premtuara e të parealizuara të partisë së tij. Më pas hodhi akuza ndaj përfaqësuesve të BDI-së në ekzekutiv. Vlerëson se vendimet në parti i merr i zëvendëskryeministri Artan Grubi.

“Vendimmarrja është bërë privilegj ekskluziv i një klani të ngushtë të Artan Grubit, ne kemi ngritur zërin për veprimet e Artan Grubit që janë në kundërshtim me qëndrimet e shumicës së anëtarëve të BDI-së. Kjo ka sjellë tek rënia e përkrahësve të votuesve dhe ka prodhuar përçarje brenda strukturave partiake.”- deklaroi Izet Mexhiti – nënkryetar i BDI-së.

Mexhiti duke u mbështetur në sondazhin e IRI thotë se zv/kryeministri Artan Grubi dhe kryediplomati Bujar Osmani kanë performancën më të ultë, dhe se për herë të parë opozita shqiptare ka tejkaluar Bashkimin Demokratik për Integrim.
Artan Grubi dhe Bujar Osmani kanë performancën më të dobët dhe për herë të parë rejtingu i opozitës shqiptare tejkalon rejtingun e BDI-së dhe ne këtë e shohim si një alarm për sensibilizim dhe mobilizim brenda BDI-së.

Ndonëse kanë pakënaqësi Mexhiti mohon se grupi i zjarrit mund të funksionojë si një fraksion, ose të ndahet nga BDI. Ai tha se kjo është luftë e brendshme partiake dhe nuk do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Kërkesa e tij është që të freskohen kuadrot e BDI-së që janë në ekzekutiv, pasi që sipas tij nuk e kryejnë punën si duhet. Gjithashtu kërkon mobilizimin e anëtarësisë së këtij subjekti politik për të kërkuar llogaridhënie nga ata që kanë marrë përgjegjësi në ekzekutiv.
BDI-së i duhet freskim i ekzekutivit dhe eshaloneve tjera. Nuk kemi dilema rreth Ahmetit.
Ky është një lloj presioni që të ketë kryesia e re konkluzione mbi argumente.

Mexhiti shtoi se ka dalë në këtë konferencë për shkak se kërkesat e tyre në BDI nuk janë marrë parasysh. Sipas tij hapi i radhës do të jetë siç tha ai, zbritja në bazë./alsat