Bashkëshortja e Isa Mustafës sqaron shëndetin e tij
Isa Mustafa
Kryetari i partisë më të madhe në vend, Isa Mustafa, është kthyer në Prishtinë. Për tre muaj, ai qëndroi në Gjermani për trajtim mjekësor. Familjarët thonë se gjendja e tij është në përmirësim e sipër.

Isa Mustafa është kthyer të shtunën në Prishtinë, pas një tretmani mjekësor prej afër tre muajsh në një klinikë në Gjermani.

Kryetari i partisë më të madhe në vend, ishte prekur fillimisht nga një grip stinor e më pas gjendja i ishte vështirësuar si pasojë e një sindromi të rrallë dhe të rrezikshëm.

Por duket se gjendja e tij shëndetësore, më në fund, po shkon drejt stabilizimit.

Të dielën, askush nga Lidhja Demokratike nuk ka pranuar ta komentojë gjendjen shëndetësore të Liderit të tyre, kurse në shtëpinë e tij në Prishtinë, pranë të cilës ka qëndruar Televizioni T7, nuk janë parë lëvizje të njerëzve për vizita.

Familjarët e Isa Mustafës kanë treguar se shëndeti i tij është përmirësuar dukshëm, porse i duhet edhe pak kohë derisa shëndeti i tij të stabilizohet shkruan T7.

“Mirë është me terapi, tash është i lodhun pak”, ka thënë për T7, bashkëshortja e tij, Qefserja.

“Duhet me kuptu se është hala në rehabilitim, për ma shumë besoj se ju njoftojmë me kohë. Unë jam djali i tij po ma mirë është me shku në mënyrë zyrtare”, ka thënë djali i tij, Besiani.

Derisa, Mustafa po kërkonte shërimin në një klinikë në Gjermani, partia që ai udhëheq ka vazhduar të funksionojë edhe pa të.

Isa Mustafa e mori udhëheqjen e LDK’së në vitin 2009, kurse në zgjedhjet e fundit arriti të shënonte rezultatin më të mirë që prej vdekjes së Kryetarit Historik të kësaj partie, Ibrahim Rugovës.
Shtuar më 08/04/2018, ora 20:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori