Qeveria LSDM-BDI, kush janë ministrat e rinj

Pas arritjes së marrëveshjes, Lidhja Socialdemokratike dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë ndarë edhe ministritë.

Nga përfaqësues të të dy partive politike, mësohet se BDI-ja në kabinetin e ri do të drejtojë gjashtë ministri; Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, Ekologjinë, Ekonominë, Sistemin politik dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike.

Mediat vendase deri më tani kanë publikuar emrat e disa ministrave që do të jenë pjesë e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Pritet që zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik të jetë Artan Grubi, ndërkohë që Bujar Osmani pritet të jetë ministër i Jashtëm. Ministër i Financave pritet të jetë Fatmir Besimi ndërsa ministër i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Grubi ka shkruar në një postim në Facebook, se, në rajon do të jenë tashmë tre ministra të jashtëm shqiptarë dhe e ka konsideruar këtë një zhvillim historik.

Ndërkohë janë bërë publike edhe emrat e zyrtarëve të Lëvizjes Besa në këtë qeveri. Arijanit Hoxha do të jetë ministër i Bujqësisë, Sadat Sulejmani zv/ministër i Kulturës dhe Arafat Shabani zv/ministër i Arsimit.

Qeveria Zaev 2 do të drejtohet në 100 ditët e fundit nga një kryeministër shqiptar, i propozuar nga BDI-ja.


Shtuar 19.08.2020 13:22