Kurti: Në fund të vitit aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Kryeministri Kurti në një konferencë për media ka thënë se vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kosovë është historike për shkak se është vizita e parë e një kancelari gjerman në Qeverinë e Kosovës.

Kurti në këtë konferencë ka bërë të ditur se Kosova në fund të këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kurti kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për këtë proces.

“Në përputhje me premtimet dhe perspektivën evropiane, po punojmë në përmbushjen e reformave për anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit për BE ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, ka thënë Kurti.

Kuti tha se me kancelarin gjerman kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për procesin e Berlinit.

“Sa i përket dialogut, i tregova se jemi treguar palë e përkushtuar por se Serbia po vazhdon t’i bllokojë zgjidhjet që ofrojmë, edhe për procesin e Berlinit. Në këtë proces, Kosova po tregon përafrimin e saj me politikat e BE-së”, u shpreh Kurti.