Bahtiri mban sekret bisedën me Thaçin kur i dorëzoi peticionin për Mitrovicën
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri pasi nuk e mori mbështetjen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), të enjten dorëzoi peticionin me 16.594 nënshkrime për bashkimin e këtij qyteti tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Bahtiri në një prononcim për Telegrafin tha se të njëjtin peticion javën e ardhshme do ta dërgojë edhe tek Grupet Parlamentare (GP), në Kuvendin e RepublikësKosovës.


Kryetari Bahtiri u shpreh se është duke pritur rezultate pozitive që ky peticion të kaloj në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Menjëherë javën e ardhshme do ta dërgojmë edhe të Grupet Parlamentare, në Kuvendin e RepublikësKosovës. Dhe do të pres rezultate. Unë kam shumë bindje që do të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do ta dërgoj në të gjitha institucionet e RepublikësKosovës dhe zëri i popullit do të preket në çdo vend… Po shpresoj shumë se kjo do të ndodh, për arsye se është një moment i mirë i të gjithë deputetëve. E kam përkrahjen nga të gjithë deputetët. Nuk e di, cili deputet i RepublikësKosovës, e ka një pikë gjak shqiptari dhe nuk do ta përkrahte këtë çështje”, ka thënë Bahtiri.

Sipas tij, padrejtësia që iu ka bërë qytetarëve të Mitrovicës nuk do të ndodh më dhe do të përmirësohet gabimi që u bë.

“Kjo padrejtësi që iu ka shkaktuar Mitrovicës, nuk do të ndodh më dhe do të përmirësohet gabimi që u bë”, potencoi ai.

I pyetur se çfarë bisedoi me presidentin e vendit kur i ka dorëzuar peticionet, Bahtiri tha, se “Ne kemi pasur një takim të mbyllur, të cilën nuk do ta bëj publik. Presidenti më ka përkrahur publikisht si dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe të tjerët, kështu që nuk e kemi një problem të tillë”.

Ndryshe, peticioni me 16.594 nënshkrime nga qytetarët e Mitrovicës është dorëzuar për herë të parë më 16 janar në Kuvendin e RepublikësKosovës, mirëpo ky peticion i cili më pas u dorëzua nga Kuvendi në Qeverinë e RepublikësKosovës dhe nga aty në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nuk e mori mbështetjen e duhur.
Shtuar më 23/02/2019, ora 11:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori