Bahtiri ende në "botën e tij", beson se Mitrovica do të bashkohet
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka siguruar qytetarët e këtij qyteti dhe të gjithë Kosovës se Mitrovica do të bashkohet. Bahtiri në një konferencë për medie të hënën ka thënë se Kuvendi i Kosovës do të votojë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetitMitrovicës
Ai më tej ka treguar se për 7 ditë sa ka zgjatur nënshkrimi i peticionit për bashkimin e Mitrovicës, atë e kanë nënshkruar mbi 16 mijë qytetarë.

“Peticionin e kanë nënshkruar edhe qytetarët e veriut, qytetarët serbë, ata janë lodhur nga strukturat paralele në veri. Unë jam plotësisht i bindur se qytetarët serbë të pjesës veriore janë lodhur prej njerëzve, prej grupeve të caktuara, të cilat me të vërtetë ia kanë sjellë ngushtë punën këtyre familjeve. Ata menjëherë presin që të lirohen përgjithmonë prej tyre dhe të fillojë puna institucionale që t’u ofrojmë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai shtoi se Komuna e Mitrovicës nuk ka marrë vendim për bashkimin e qytetit, por me të drejtë e ka bërë kërkesën për bashkim. “Peticioni me nënshkrimin e qytetarëve brenda javës dërgohet në Kuvendin e Kosovës, në Qeveri dhe te presidenti, me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim të bashkimit të qytetit”, është shprehur Bahtiri.

Më tej ai është shprehur i bindur se Mitrovica do të bashkohet.

“Ju siguroj se qyteti i Mitrovicës do të bashkohet. Komuna e Mitrovicës Jugore në bashkëpunim me qytetarët e saj, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve në të dyja komunat dhe me qëllim të bashkëpunimit, të zhvillimit ekonomik dhe të përafrimit të komuniteteve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, kërkojnë veprime konkrete për unifikimin e qytetit”, ka thënë Bahtiri, i cili duke mohuar kategorikisht ndarjen e Kosovës përmes lumit Ibër dhe urës kryesore u ka bërë thirrje politikanëve që të mos merren me Mitrovicën si mundësi të pazareve të ndarjes eventuale.


Shtuar më 15/01/2019, ora 08:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori