Avokati: Ndalja e Alajt, ndër më të paligjshmet në Kosovën e pasluftës - sa për show mediatik
Avokati i Ardian Alajt, Durim Osmani, është deklaruar për Kallxo.com për ndaljen që i është bërë atij nga policia e Kosovës, ndalje të cilën avokati Osmani, e ka cilësuar si “ndër më të paligjshmet në Kosovën e pasluftës”.

Alaj është ndalur të mërkurën nga policia kinse ka bërë hyrje në sisteme kompjuterike, vetëgjyqësi dhe keqpërdorim i besimit.

Rasti ka të bëjë me portalin “Insajderi.com”, respektivisht pretendimet rreth pronësisë.

Sipas avokatit Osmani ndalja e Alajt “ka ndodhur pa kurrfarë baze ligjore”, sepse “nuk ka dyshim të bazuar”.

“Fillimisht nuk ka ndonjë dyshim të bazuar, për shkak se çështja e domainit dhe faqes së ‘Facebook’ e Insajderi.com, është një çështje teknike që vërtetohet shumë lehtë dhe hetuesia i ka pasë një pjesë të atyre provave, që vërtetohet lehtë që nuk ka pasur ndërhyrje në sistemin kompjuterik. Dihet se si ndodhë ndërhyrja në sistem kompjuterik”, ka thënë Osmani.

Osmani ka deklaruar se ka gjashtë vjet që punon si avokat, por është hera e parë që është përballur me ‘pasiguri juridike’ dhe ndalimi i Alajt ka qenë vetëm sa për show mediatik.

“Për shkak se pa pasur kurrfarë bazë ligjore është arrestu i njëjti, për me kriju show mediatik dhe për me kriju kinse ndjenjën e fajësisë. Por nesër, pas një viti apo dy vitesh, Ardian Alaj kur të del i pafajshëm do të ju them juve mediave, opinionit publik, por edhe organeve të rendit përmes padisë që do të pasojë: ju kam thannë”, ka deklaruar avokati Osmani.

Hetuesia ka keqinterpretuar provat, pohon Osmani.

“Nuk ka bazë ligjore, çështja e pronësisë në domain vërtetohet dhe është vërtetuar në mënyrë të qartë. Domain është ble në vitin 2015, 4 muaj para regjistrimit të Insajderit, nga një ndërmarrje e tretë, prej të cilës ka qenë i autorizuar me pas qasje Ardian Alaj”./Insajderi.com

Këtu mund ta ndiqni intervistën e plotë:

https://video.gjirafa.com/rasti-insajderi-avokati-arrestimi-i-ardian-alajt-nder-me-te-paligjshmit-ne-kosoven-e-pasluftes
Shtuar më 18/06/2020, ora 21:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori