Avokati i Popullit shqetësohet për protestën e VV
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, përmes një kumtese për medie shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me zhvillimin dhe ecurinë e ngjarjeve me rastin e mbajtjes së protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, më 14 janar 2012.

Intervenimi i policisë, përzgjedhja e mjeteve dhe e metodave si dhe përdorimi i dhunës gjatë protestës në Podujevë dhe te Dheu i Bardhë, nga Avokati i Popullit konsiderohet si i panevojshëm, i pajustifikueshëm dhe joproporcional.

Përveç në vendin e protestës, dhuna e pjesëtarëve të njësisë speciale është përdorur edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në stacionin policor në Podujevë, në praninë e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët në një moment janë kërcënuar dhe penguar në kryerjen e punëve të tyre nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale.

Përgjithësisht, në fillim arrestimet janë bërë në mënyrë përzgjedhëse, me fokus të veçantë tek organizatorët, sidomos deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të pranishëm në protestë, ndaj të cilëve është përdorur dhunë, e përcjellë me veprime degraduese dhe poshtëruese. Po ashtu gjatë ndërhyrjes së policisë dhunë është përdorur edhe ndaj një përfaqësuesi të mediave në krye të detyrës.

Në Podujevë janë bërë edhe arrestime arbitrare në lokale të ndryshme afariste si dhe në oborret e shtëpive, duke arrestuar edhe persona në vendet e tyre të punës, si dhe kalimtarë të rastit, që nuk ishin pjesë e protestës. Arrestimet janë përcjellë me dhunë të pakontrolluar dhe me fyerje e poshtërime, në baza personale edhe në baza gjinore.

Shumica e të arrestuarve, në stacionet policore në Podujevë dhe në Gjilan, janë vizituar nga përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit. Është vërejtur se ishte mjaft vështirë të bëhet identifikimi i zyrtarëve policorë, nga ana e të arrestuarve, por edhe e vëzhguesve. Po ashtu vërehej se pjesëtarët e njësisë speciale nuk i posedonin numrat e tyre identifikues.

Avokati i Popullit shpreh keqardhje për të gjithë të lënduarit me rastin e protestës së 14 janarit dhe kërkon një hetim të detajuar gjyqësor të sjelljeve të pjesëtarëve të policisë, si dhe kërkon identifikimin e të gjithë personave që kanë përdorur dhunë gjatë protestës.

Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha palët respektimin e zbatimin e ligjeve në fuqi, kurse nga autoritetet publike garantimin e të drejtës së lëvizjes së lirë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve si dhe mbrojtjen e pronës, pa tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj dhe kushtetutë.
Shtuar më 17/01/2012, ora 10:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori