Arrestimi i dhunshëm i Molliqajt, reagimet dhe gjithçka që ndodhi mbrëmë

Kreu i Partisë Socialdemokrate është arrestuar mbrëmë, pak para se të hynte në emisionin “Pressing” në T7, ku ishte i ftuar për të folur për protestën e javës së kaluar. Arrestimi i Molliqajt zgjoi reagime të shumta. Partitë opozitare e quajtën arrestim politik nga pushteti. Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj çka ndodhi mbrëmë

Mbrëmjen e së martës, forca të mëdha policore rrethuan hapësirën e oborrit të T7, në pritje të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ishte i ftuar në emisionin “Pressing”.

Sapo arriti, Molliqaj u rrethua nga policët. Ai debatoi për disa minuta me policët të cilëve u kërkoi fletarrestin.

Pasi kjo nuk iu dha, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës u arrestua dhunshëm.

“Jo, jo pa e parë ftesën jo. Bjema ftesën”, dëgjohet Molliqaj i cili pastaj shoqërohet dhunshëm nga policët.

Pas arrestimit të Molliqajt, ka reaguar drejtori i T7 dhe autori i emisionit Pressing, Leonard Kerquki, i cili ka treguar se mbi 40 policë kanë rrethuar studion e emisionit Pressing ku edhe e arrestuan kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj i cili ishte i ftuar në debat.

Kerquki përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk e ka kuptuar këtë spektakël të Policisë në oborrin e T7, pasi sipas PSD-së, Molliqaj ka qenë tërë ditën në zyrën e tij. “Cka po dojne me deshmu me kete akt dhe kujt po ia tregojne forcën. Siç arritet me pa LIVE, mbi 40 police e rrethuan studion e Pressingut dhe e arrestuan Dardan Molliqajn, te ftuarin e emisionit. Kjo eshte hera e pare qe i ftuari arrestohet para emisionit. Sipas PSD’se, Molliqaj ka qene tere diten ne zyren e tij, prandaj nuk e kuptoj kete spektakel te policise ne oborrin e televizionit. Cka po dojne me deshmu me kete akt dhe kujt po ia tregojne forcen? Emisioni, mbahet, megjithatë”, ka shkruar Kerquki.

Ndërkaq sipas zyrtarëve të partisë së Molliqajt, Policia e Kosovës shkeli ligjin për arrestimin e tij, pasi sipas tyre, nuk kishte fletarrest dhe një i tillë po përpilohej tek pas arrestimit.

“Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zingjirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë”, thuhet në njoftimin e PSD’së.

Nga PSD-ja thanë se Molliqaj ka qenë në zyrë gjatë gjithë kohës, por policia zgjodhi hapësirat e një televizioni për ta arrestuar.

“Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”, njofton PSD.

Molliqaj ishte në kërkim nga dita e shtunë kur u mbajt protesta e PSD-së, por arrestimi u bë mbrëmë, përkundër që Molliqaj ishte paraqitur drejtpërdrejt në zyrat e PSD-së.

PSD kishte paralajmëruar konferencë për media me 30.01, e cila do të mbahej të nesërmen me 31.02.

Molliqaj ishte paraqitur në konferencë për media që PSD-ja e kishte njoftuar një ditë më parë, e madje edhe mediat ishin prezentë. Por, Policia e Kosovës nuk e arrestoi aty.

Pas arrestimit të Molliqajt dhe dërgimit të tij në stacion policor, Policia e Kosovës publikoi një foto të ftesës për paraqitje në stacion, të cilën tha se ia ka dërguar Molliqajt.

Arrestimi i Molliqajt ngjalli reagimin e krerëve të partivë opozitare dhe analistëve.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se arrestimi i dhunshëm i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike.

“Arrestimi i dhunshëm i Kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike; prandaj ky akt, për mua dhe LDK-në është i papranueshëm dhe kundër standardeve bazike të demokracisë”, ka shkruar ai në Facebook.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e arrestimit të Molliqajt është pak e çuditshme, pasi kauza e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës ishte e drejtë.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit, mendoj se nuk kanë mund ta arrestojnë, por kanë mund ta dërgojnë një ftesë. Çështja e arrestimit është pak e çuditshme për mua. Kauza e protestës ishte mjaft e drejtë për rritjen e shtrenjtimit të rrymë”, tha Haradinaj.

Kryetari Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se arrestimi i Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm. Sipas tij, arrestime të tilla nuk shihen në demokraci.

Tutje, Pacolli tha se Molliqaj do të lajmërohej vetë nëse do të kishte ftesë nga Policia e Kosovës.

“Arrestimi sonte i Dardan Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm për shtetin demokratik që kemi ndërtuar deri tash. Arrestime të tilla nuk shihen në demokraci. Ky është lajm i keq për demokracinë kosovare. Solidarizohem gjithmonë me policinë e Kosovës por jo edhe me politizimin e saj. Une jam i bindur se po të kishte ftesë Molliqaj vet do të lajmërohej aty ku do të ftohej”, ka shkruar Pacolli.

Gazetari Berat Buzhala në një lidhje direkt në Pressing të T7 ka thënë se kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj në asnjë moment nuk ka qenë duke u fshehur nga Policia e Kosovës.

Buzhala ka treguar se sot gjatë ditës ka ndenjur me Molliqajn në një nga kafenetë më të populluar në Prishtinë.

Ai tha se kur kanë dalë nga aty i kanë parë disa policë, madje edhe i kanë përshëndetur.

“Sot nejta me të, në kafe më të populluar në Prishtinë, ku kanë qenë 200-300 persona. Kur kemi dalë jashtë ka pasur policë gjithandej, na kanë pa, na kanë përshëndet. Dardan Molliqaj në asnjë moment nuk ka qenë duke u fshehur Policia”, ka thënë Buzhala për T7.

Gazetari Imer Mushkolaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, arrestimin e Molliqajt e quajti të panevojshëm dhe e cilësoi si film i pushtetit./Express

 

Gjithashtu, Mushkolaj njoftoi se Molliqaj ka mbajtur konferencë publike për media në selinë e partinë e tij, e edhe është takuar me të në qytet.

 

“Dardani dje ka mbajtë konferencë publike për media në selinë e partisë. Sot e kam taku n’qytet. Policia nuk e arrestoi as dje, as sot ditën. E arrestoi sonte, para intervistës n’T7. E panevojshme të arrestohet nga dhjetëra pjesëtarë të njësisë speciale. I panevojshëm ky spektakël i policisë. Të panevojshëm këta filma të pushtetit”, ka shkruar Mushkolaj.


Shtuar 2.02.2022 08:25