Atentati në Durrës, vjen reagimi i Policisë

Policia ka reaguar në lidhje me atentatin e ditës së djeshme në Durrës. Sipas versionit të policisë, është qëlluar në drejtim të një makinë të parkuar, në pronësi të një shtetasi nga Maqedonia e Veriut, i identifikuar si Bujar Alushi.

Njoftimi i policisë

Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.

Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, sipas burimeve për Albeu.com, atentati është bërë ndaj një personi, ndaj të cilit është qëlluar me snajper. Plumbat nuk kanë kapur shënjestrën, por kanë përshkuar një mjet që ndodhej i parkuar, pikërisht këtë që thotë policia./albeu.com


Shtuar 13.09.2022 12:21