Aplikimi në universitet: Hapat që duhet të ndjekin maturantët

Sipas kalendarit elektronik të U-Albania, me 29 korrik fillon faza e parë e përzgjedhjes së 10 degëve të universitetit nga maturantët. Kjo fazë do të zgjasë deri më datë 3 gusht. Por maturantët duhet të shkarkojnë paraprakisht faturën e aplikimit dhe më pas duhet të bëjnë derdhjen prej 2000 lekësh në një bankë të nivelit të dytë ose në Postën Shqiptare. Koha kur maturantët mund të kryejnë këto procedura është nga data 3 korrik – 28 korrik.

Aplikimet do të bëhen në portalin U-Albania, ku pas rezultateve të fazës së parë, maturantët do të kenë mundësinë të zgjedhin përsëri 10 degë për fazën e dytë, në datën 19 shtator – 21 shator, si dhe në fazën e tretë, në datën 12 tetor – 14 tetor. Kandidatët fitues do të regjistrohen në portalin U-Albania dhe pranë sekretarisë mësimore që ka kompetenca në lidhje me programin e studimit.

Regjistrimet duhet të realizohen sipas datave kalendarike të vendosura. Në rast të kundërt, regjistrimi do të konsiderohet i pavlefshëm dhe kandidati nuk do të mund të pajiset me një numër matrikullimi nga QSHA.

Aplikimet për raundin e parë: 29 korrik – 03 gusht 2020
Aplikimet për raundin e dytë: 19 shtator – 21 shtator 2020
Aplikimet për raundin e tretë: 12 tetor – 14 tetor 2020


Shtuar 5.07.2020 08:33