Autostrada e valleve, e piknikut, e garave, e skarës...!? (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Policia e Kosovës ka tërhequr vërejtjen për disa “dukuri të pazakonshme”, që po ndodhin kohëve fundit në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Mes tjerash, njësitet e trafikut policor kanë vërejtur sesi kolona dasmorësh ndalen në shiritin për ngadalësim të autostradës, dhe e kthejnë atë në arenë vallëzimi. Policia përsërit se kjo është e kundërligjshme dhe e rrezikshme.

Policia e Kosovës thotë se deri më tani, falë reagimit të shpejtë të policisë, është parandaluar ndonjë aksident me pasoja fatale.

“Përkundër reagimeve të vazhdueshme policore ndaj këtyre dukurive, patrullat policore gjatë vikendit kanë vërejtur edhe një dukuri tjetër mjaft të rrezikshme për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor në autostradë: ndalja e kolonës së dasmorëve në shiritin emergjent për të pushuar, për t’u mbledhur dhe për të bërë aheng duke shfrytëzuar këtë aks rrugor për vallëzim e argëtim”, thuhet në një komunikatë shtypi të Policisë së Kosovës.

Policia ka shpërndarë për mediat dhe fotografi ku shihet dasmorë duke vallëzuar.

Përveç vallëzimit të dasmorëve, sidomos tani muajve të verës, njësitet e trafikut policor kanë vërejtur edhe dukuri të tilla, si:

- Shëtitje të qytetarëve në këmbë nëpër autostradë;

- Shëtitja me biçikleta;

- Ndalje autostop;

- Futja e kafshëve për kullos në zonën e rrethuar;

- Kositja e barit në zonën e rrethuar;

- Qarkullimi me mjete bujqësore (traktorë, kombajna etj.);

- Piknik në autostradë;

- Zhvillim i veprimtarive fitimprurëse (pjekja e misrit për shitje në autostradë);

- Zbritja e udhëtarëve me familje dhe valixhe nga autobusët në shiritin emergjent, veçanërisht nga autobusët që vijnë nga bregdeti;

- Zhvillimi i garave me vetura me pjesëmarrje të shikuesve.
Në të gjitha këto raste, patrullat e NjKA-së kanë reaguar menjëherë duke i larguar dhe duke shmangur rrezikun dhe pasojat që mund të sjellin veprimet e tilla të cilat paraqesin rrezik për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion në Autostradë, sepse shpejtësia e lejuar është 130 kilometra në orë, Ekonomiaonline.

Policia apelon që me qëllim të evitimit të rrezikut, parandalimit të aksidenteve dhe pasojave të mundshme fatale, të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor t’i respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës. /albeu.com/
Shtuar më 16/08/2013, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori