Austria mbështet Kosovën për integrim
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, u takua të mërkurën me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner. Me këtë rast, Thaçi potencoi vendosmërinë e Qeverisë që edhe në veri të vendit të funksionojë rendi dhe ligji, të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale.

Në këtë angazhim për funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës, Thaçi tha se kanë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Në takim me diplomatin austriak, kryeministri ritheksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit. Thaçi përmendi edhe fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, e që sipas tij është rezultat i punës së vazhdueshme të institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve lidhur me këtë proces.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë dhe i garantoi kryeministrit Thaçi vazhdimin e mbështetjes austriake për perspektivën evropiane të Kosovës.
Shtuar më 09/11/2011, ora 13:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori