Atifete Jahjaga është tropojane
Atifete Jahjaga
Familja e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka prejardhjen nga zona e Nikaj Mërturit. Pas një Presidenti të akuzuar se kishte një bashkëshorte ruse, tashmë Kosova mund të thotë se ka një lidhje më të fortë me Shqipërinë dhe kjo falë Presidentes së re, Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit, siç edhe po përflitet menjëherë pas emërimit të saj në krye të shtetit të ri kosovar, rezulton të jetë një pasardhëse e zonës së Nikaj Mërturit, prej ku jo më shumë se një shekull më parë ndodheshin të afërmit e vet.

Pak e dëgjuar më parë, të paktën për Shqipërinë, Atifete Jahjaga mori mbështetjen për Presidente të Kosovës nga tri partitë politike, PDK, LDK dhe AKR, pas tri ditë bisedimesh për dalje nga kriza politike. Fillimisht si police e thjeshtë e Kosovës, ajo ia doli mbanë të ngjitej deri në gradat më të larta të gjeneral-koloneles. Ajo çka mund të duket më e çuditshme është pikërisht fakti se menjëherë pas marrjes së detyrës së Presidentes, në qytetin e Bajram Currit po përflitet se Atifetja i ka rrënjët në këtë zonë.

Duke hulumtuar mbi jetën e këtij personazhi tepër të veçantë në jetën publike dhe përditshmërinë kosovare, mësojmë se Atifete Jahjaga është vajza e Brahim Bajram Agës nga fshati Ratkovc i Gjakovës dhe se ajo rrjedh nga familja e Agës së Ratkovcit, familje me emër në Malësinë e Gjakovës. Kjo familje e ka prejardhjen nga fshati Tetaj (Rrucaj) i krahinës Nikaj Mërtur (komuna Lekbibaj) të Tropojës.

Bajram Curr përflitet se gjyshi i Atifetes ka zbritur nga malësia në fillimin e shekullit të kaluar, në vitet 1910-1912 duke u vendosur si shumë familje të tjera nga kjo krahinë, në rrethinat e Gjakovës, për arsye hasmërie. Prejardhjen e saj nga Nikaj Merturi, Atifetja e ka shprehur edhe vetë në biseda gjatë vizitave në qytetin Bajram Curr, shkruan Express.

Ajshja, pronare e një restoranti, thotë: "Atifetja është kliente e rregullt imja dhe më ka treguar për prejardhjen e familjes së saj nga fshati Tetaj i krahinës së Nikaj Mërturit".

E tashmë tropojanët duket se kanë një arsye të dyfishtë për t’u vetëkënaqur me krahinën e tyre. Pos Kryeministrit shqiptar, edhe Presidentes së Kosovës i rrjedh në deje gjaku i kësaj zone.

Fundjava e dështuar në Durrës e Atifete Jahjagës

Kjo fundjavë duhet të ishte krejtësisht relaksuese për ish-drejtoreshën e Përgjithshme të Policisë së Kosovës. Një udhëtim drejt Shqipërisë, ku e priste deti dhe rrezet e ngrohta të këtij fillim pranvere, ishte gjithçka që kishte planifikuar që në krye të javës Atifete Jahjaga.

Një udhëtim me miqtë e saj, rezervimi në një prej hoteleve të qytetit të Durrësit dhe qëndrimi për të paktën tri ditë ishte mënyra se si kolonelja kishte parashikuar për të kaluar fundjavën. Por mëngjesi i së enjtes e ka shndërruar ish-policen në presidenten e parë femër në gjithë Ballkanin. Aq i papritur ishte ky kandidim, sa miqtë e saj i kanë trokitur në zyrë për të ditur se fundjava e tyre në Shqipëri ishte anuluar.

Megjithëse udhëtimi ishte parashikuar prej kohësh, Atifete Jahjaga është detyruar të braktisë Durrësin për t'u shpallur mbrëmjen e së enjtes, presidente e Kosovës.
Shtuar më 13/04/2011, ora 10:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori