Merkato, Perez arkëton 110 milionë euro pa prekur boshtin e skuadrës

Koha kur Reali i Madridit shpenzonte miliona për të marrë më të mirët në botë, duke filluar nga Zidane e dy Ronaldot, e për të vijuar me emra të tjerë si Figo, Beckham, Kaka, etj., duket se ka marrë fund.

Sezonet e fundit bosi i madrilenëve Florentino Perez është mjaftuar me afrimin kryesisht të lojtarëve të rinj e të talentuar, ndërsa vlen të theksohet se blerja më e bujshme e 5 viteve të fundit është ajo e Eden Hazard një vit më parë nga Chelsea.

Këtë verë ishte folur shumë për afrime të mëdha te Los Blancos dhe emrat që kishin dalë në skenë ishin të shumtë, duke nisur nga Mbappe e Pogba, por pandemia ndryshoi tërësisht planet dhe Perez u përqendrua vetëm te merkatoja në dalje.

Kështu madrilenët deri tani ia kanë dalë të arkëtojnë plot 110 milionë euro, duke shituar Achraf Hakimin për 40 milionë euro te Interi, Sergio Reguilon te Tottenham për 30 milionë euro, James Rodriguez te Everton për 25 milionë euro dhe Oscar Rodriguez te Sevilla për 15 milionë euro.

Përveç këtyre parave të arkëtuara, që përmirësojnë ndjeshëm bilancin e Los Blancos, Florentino Perez u ka kursyer arkave të klubit edhe të paktën 15 milionë euro, nga huazimi i Gareth Bale te Tottenhami.

E nëse të gjithë klubet po vuajnë jo pak për të kryer operacionet e synuara në merkato, kjo për shkak të efekteve të koronavirusit, Reali i Madridit po ia del mjaft mirë të arkëtojë para e të ulë shpenzimet, por njëkohësisht edhe të mos prekë boshtin kryesor të skuadrës së drejtuar nga Zidane.


Shtuar 20.09.2020 10:37