Kosova dhe Serbia sot pritet të nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha dhe autostrada

Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova dhe Serbia pritet të nënshkruajnë letrat e shprehjes së interesit që shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore e rrugore, e që lidhin kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Evropën.

Nënshkrimi i letrave të shprehjes së interesit për hekurudha dhe autostrada prite të bëhet në orët e paradites.

Ndryshe, para një muaji, palët kanë nënshkruar nga një Letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes t ë Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të së enjtes me ambasadorin Richard Grenell në Mynih të Gjermanisë tha se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, do të ketë në marrëveshje të reja.

“Ishte një takim jashtëzakonisht efektiv, ne do të lëvizim në marrëveshje të reja pas arritjes së marrëveshjes së linjës Prishtinë-Beograd. Do të kemi angazhime tjera për linjën hekurudhore. Do të punojmë si institucione që të arrijmë marrëveshjen finale si dy vende të pavarura”, ka shtuar Thaçi duke theksuar se Kosova do të ndërmarrë veprime që e lehtësojnë dialogun.


Shtuar 14.02.2020 07:54