ASHAK nuk i raporton Kuvendit
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Por, ky institucion nuk e sheh të nevojshme që t’i raportojë Parlamentit për punën vjetore.

Edhe pse ekziston ueb-faqja e ASHAK-ut, ku jepen informacione, akademia nuk e bënë publike Raportin e sajë vjetor të punës, e as shpenzimin e financave. Në ASHAK, thonë se janë të hapur, dhe kush është i interesuar të shef punën vjetore të tyre, mund të shkojë në librarinë e tyre dhe ta shfletojë revistën “Vjetari” në të cilën prezantohet e gjithë puna.

“Asnjëherë që nga themelimi, ASHAK nuk ka paraqitur Raportin e punës në Komision tek ne. Ata nuk dozojnë raporte. Thonë se punët tona janë të hapura dhe kush donë mund të vij dhe ti shikojë ato. Në një farë mënyre ata edhe nuk janë mësuar dhe nuk donë të japin raport. As nuk e publikojnë në ueb-faqen e tyre zyrtare, as nuk e bien në Kuvend”, tha për Indeksonline Ramë Vata, anëtar i Komisionit, për Arsim, Kulturë, Rini, Sport.

Sipas tij, botimet e veprave të reja nuk ka fare, pos ribotime të anëtarëve të akademisë dhe asnjë të shkencëtarëve tjerë që nuk janë pjesë e akademisë.

Eqrem Kryeziu, nënkryetar i Komisionit për Arsim mendon se Kuvendi duhet ti thërrasë vetë akademikët të raportojnë për punën vjetore.

“Tash ata janë Akademia e Shkencave dhe të Arteve, ndoshta janë të zënë më punë tjera. Ata duhet tu përgjigjen detyrimeve ligjore. Nëse ata nuk vinë duhet ti thërrasim ne, pse jo”, thotë Kryeziu.

Sipas Nenit 1, të ligjit për ASHAK, “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe për punën e vet Akademia i përgjigjet Kuvendit të Kosovës”. Por, Lendita Juniku Pula, Sekretare e Akademisë thotë se ASHAK sipas Ligjit mbi Akademinë dhe Statutit të saj nuk paraqet Raport vjetor në Kuvend dhe në asnjë komision. Ajo tregon se Akademia Raportin vjetor të punës e miraton në Kuvendin e saj, gjithnjë në fillim të vitit.

”Pra raporti i vitit paraprak miratohet në fillim të vitit vijues ( Raporti i punës për vitin 2012 miratohet në fillim të vitit 2013) . Më pas raporti në fjalë botohet në revistën Vjetari që del për çdo vit dhe gjendet në librarinë dhe bibliotekën e ASHAK-ut. Vjetari i fundit, në të cilin është pasqyruar raporti i punës së ASHAK për vitin 2012 është përgatitur, dhe këtë javë shkon në shtyp, ashtu që muajin tjetër do të jetë i gatshëm dhe do të publikohet edhe në faqen e internetit të ASHAK-ut. Raportet e viteve paraprake, i gjeni të gjitha në revistën në fjalë, të cilën mund ta merrni në mjediset e Akademisë”, tha Juniku-Pula.

Megjithëkëtë të gjithë “Vjetarët” e ASHAK që janë të publikuar në ueb-faqe nuk kanë asgjë brenda pos faqes së parë të parathënies.

Nëse jo Kuvendit, ASHAK dikujt i raporton për shpenzimet.
“Njëherësh ju njoftojmë se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm çdo vit e kryen auditimin në ASHAK si dhe çdo vit me ftesë të Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike Akademia merr pjesë në takimet e Komisionit në fjalë. Vitin e fundit nuk kemi pasur ftesë, mirëpo ne gjithnjë jemi të gatshëm t'i përgjigjemi ftesës”, tha Juniku Pula.

Kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, thotë se Komisioni nuk i dërgon ftesë askujt, por është obligim ligjorë të dërgohet raporti i shpenzimeve financiare.

“Ne si Komision asnjë institucioni nuk u dërgojmë shkresë tu themi hajdeni e raportoni në Komision. Të gjitha institucionet në bazë të ligjeve të cilat janë të miratuara, si institucione të pavarura janë të obliguara ti raportojnë kuvendit. Në komision për Buxhet shqyrtohen të gjitha raportet financiar të këtyre institucioneve. Ne, nuk na ka ardhur ndonjë raport nga Akademia e Shkencave për shqyrtim. Ne momentin që vjen e shqyrtojmë”, tha Hadregjonaj. /albeu.com/

Shtuar më 24/05/2013, ora 12:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori