As mustaqet nuk janë krejt pa faj!
Pëlqej
“Estekfurullah”, gati klitha vet me vete, kur pash një koment në profilin tim në facebook se unë po i mbroja “mjekrat”! Gjithsesi, këtë merreni me sarkazëm, se kjo shprehje nuk është aspak në fjalorin tim të përditshëm.

E keni përjetuar gjithsesi atë ndjenjën e çudisë kur përballeni me një akuzë për diçka krejtësisht kundër pikëpamjeve apo shijes së juaj!

Por, kush dëgjon në mes të kësaj histerie të cilën e krijoi “shoku” shtet, kundër gjithçkaje “të leshtë” me origjinë orientale. Qoftë po të jenë edhe qilima fluturues. Kur jemi te “leshi”, a janë fajtore mjekrat?

Po t’i kthehemi historisë, duket të jetë bërë një luftë e ashpër në mes të mjekrave, mustaqeve dhe atyre pa “lesh”! Por, historia na mëson se as mustaqet nuk ishin krejt të pafajshme! Pra, njihen shumë lloje mustaqesh, të cilat ishin pjesa kryesore e identitetit vizuel të diktatorëve të mëdhenj.

Po, përse pikërisht dyzet “mjekra” u arrestuan nga Policia e Kosovës? Përse jo 41? Apo 35?

Mediat (pro)qeveritare, po përfolin përrallën e moçme arabe për Ali Babën dhe dyzet hajdutët. Nejse “Ali Baba” ende nuk po dihet se kush është, por “ai” është shpallur në kërkim dhe fare lehtë mund të jetë njeri nga ata imamët kot të cilët po përfolet publikisht se do të arrestohen së shpejti.

Të dyshuar janë imamët të cilët në rrjete sociale i plasuan ligjëratat e tyre të cilat po klikohen me të madhe. Aty, ata japin përgjigje për dilemat më të mëdha të kombit tonë. “A duhet me fjet me çorape apo pa to”, apo “a duhet me fjet në krah të djathtë apo të majtë”, apo për krimin e pafalshëm të seksit para martese!

Çfarë të fjeturi more ? Armiku në derë, e ju në gjumë! Armiku nuk ka brirë! Ka mjekër, na thotë Qeveria! E revolucioni demokratik i quajtur “Youtube” është një oqean virtual ku ka gjithçka. Aty pranë e pranë, gjen urti e marrëzi, pornografi e moralizime të skajshme, bukuri dhe shëmti pra... mjekra e mustaqe, pra gjithçka. Dikush nëpër video krenohet me shenjtoren Terezë, e dikush në videon tjetër e përcjell në Ferr! Dikush e rrah shuplaka Gjergjin, e të tjerët këndojnë për të!

Por, polica dhe shteti ynë nuk do të lejojnë gjithçka në “Youtube”! Pse, çka keni pritur ju? E ndalim ne!

Ndoshta deri sa të del në shtyp kjo kolumne, “Ali Baba” veç do të jetë kapur, dhe do të merr krejt vëmendjen publike duke qitur në harresë hajdutët e vërtetë të politikës dhe shoqërisë tonë, qofshin ata dyzet, apo dyqind! Edhe “shoku” Enver do të ketë lexuar verdiktin në Kushtetuese! Kështu që krejt kjo mundet të mos i marrë përmasat e serialit! Sipas nevojës!

Pra, të dyzet “hajdutët” janë kapur. Ishte një kapje publike! Për me e legjitimua hutinë qeveritare, krejt kjo mbështillej me flamurin amerikan, edhe pse zyrtarët e amerikanë e evropianë e mohojnë të kenë urdhëruar fushatë të tillë! E policë me syze dielli të shtrenjta, gjithsesi tepër të shtrenjta për pagat e tyre të vogla, defiluan para syve tanë duke i mbajtur për krahu “modelet” me mjekra! Spektakël!

Falë Zotiti, asnjë “muxhahedin” nuk rezistoi, por po ecin krah për krah me shtetin në këtë “ sfilatë” politike!

Pra, armiku u kap! E do të kapet sa herë që të jetë nevoja për spektakël! Në deceniet e ardhshme “mjekrat” do të jenë armiku kujdestar! Nuk ka nevojë as për dëshmitarë të koduar. Mjaftojnë mjekrat! Ka video dhe fotografi, por avokatët do të thonë se ishin veç një performancë me Photoshop! Nejse!

Ka shumë që thonë se ky shtet kaq efektiv me arrestime, nuk qiti asgjë në dritë rreth shumë akteve terroriste që u zhvilluan para syve tonë që pas lufte, qoftë në veri apo kur u vranë shumë figura politike, apo u plaçkit me të madhe pasuria e qytetarëve, por...! Zhurmë, shumë, shumë zhurmë!

E kuptuat? Mesazhi i Qeverisë me këto arrestime është se paqja në Kosovë varet nga vet Siria. Jo nga Qeveria. Pas kësaj sfilate “me mjekrat”, shumë shpejtë sirianët mund të ndihen të obliguar me ua kthye borgjin vëllezërve të tyre nga Kosova. Me luftu kundër shqiptarëve pa mjekra, apo të besimit tjetër! Pastaj me postu në Facebook sloganet si ”Edhe Kosova është Siri”!

Kështu, në Kosovë, ke mjekër je i dyshimtë, s’ka nevojë me pasë pikëpamje as me qenë i organizuar. Nëse ka interes, vet shteti të organizon. Ka që mendojnë se mjekrat janë produkt i po kësaj qeverie. Edhe shamitë! Krijimi i armikut kujdestar është çelësi për me hy në autoritarizëm.

Pra, kështu po thotë “shoku” shtet! Dyzet mjekrat janë duke u trajtuar me procedurë të rregullt dhe krejt kjo do të zgjasë së paku deri pas vendimit të kushtetueses për kryeparlamentarin. Gjithsesi mjekrat janë të dyshimta vetvetiu. As mos dyshoni! Shumë njerëz që ndikuan në histori kishin mjekër!

Edhe shoku Marks, Engels, dhe madje edhe Lenini kishin goxha mjekër. Ishin ateistë, me mjekër! Nejse Lenini e kishte mjekrën pakëz më ndryshe. Disi më leniniste. E Marksi më marksiste. Ndërkohë që Stalini dhe Hitleri kishin vetëm mustaqe. Madje për “dajën” Hitler as nuk mund të thuhet se kishte mustaqe. Gjysmë-mustaqe. Sidoqoftë mustaqet e tij sot e kësaj dite janë të njohura si “hitleriane” !

E, Stalini po ! Ai kishte tamam mustaqe. Tamam burrë! La pas vetes 20 milionë varre! Hitleri po aq!

Qytetarë të nderuar, mos më kapni për numra, se mund të kem gabuar ndonjë milion më pak apo më shumë! Po u them se Qeveria për ndonjë milion nuk e bënë të madhe! Krejt janë pak a shumë milionerë! E ju tjerët... po ku dini ju sa janë një milion!

A janë mustaqet të pafajshme? A janë të dyshimtë meshkujt me mustaqe?

Mjekër kishte edhe Abdyl Frashëri, Naimi, madje edhe Vaso pashë Shkodrani i cili nuk ishte mysliman edhe pse ishte pjesë e përrallës së madhe të quajtur Perandoria Osmane.

Ajnshtajni nuk kishte mustaqe, as shoku Enver, e madje as “shoku” Tito!

Mustaqe nuk ka as “shoku” Thaçi, e as ministrat e tij!

I shqetësuar me mjekrën time të parruar, me nguti e porosita një birrë! Diçka në vend të një deklarate solemne. Ku e dallon ky shtet armikun! Nuk shikohet në pasqyrë! E ka me mjekrat!

Të gjithë po vrapojnë të rruhen. Qeveria po kërcënon me të madhe. Prandaj, o burra, ta heqim... leshin! Pse të prishemi me qeverinë për kaq pak! Lesh hesapi!

Edhe ashtu, krejt kjo punë po vete në... lesh!/albeu.com/
Shtuar më 22/08/2014, ora 12:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori