Arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë
UPDATE - Pas njoftimeve të mediave, edhe BE-ja ka konfirmuar se palët kanë arritur pajtim rreth mënyrës së pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale. Deklarata e BE-së sqaron përmbajtjen e fusnotës për Kosovën e cila thotë se përmendja e Kosovës është “Pa paragjykim në qëndrimet për statusin, dhe është në përputhje me UNSC 1244 (Rezolutën e Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara) dhe Mendimin e GJND-së për Deklaratën e Kosovës për pavarësi”.

Në deklaratën e BE-së, në cilësinë e “lehtësuesit të dialogut”, thuhet se të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për vlerat themelore të BE-së për pjesëmarrje efektive dhe inkluzive në bashkëpunimin rajonal.
Palët kanë arritur edhe një protokol teknik për implementimin e Marrëveshjes IBM – menaxhimin e integruar të kufijve, të arritur me 2 dhjetor të vitit të shkuar.


12:28 - Agjencia serbe e lajmeve Tanjug në njoftimin e saj për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi përmend vetëm Rezolutën 1244 dhe Mendimin e GJND-së, si elemente të marrëveshjes. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës një natë më parë deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje pa përmendjen edhe të Deklaratës Kushtetuese.


11:45 - Pas tre ditësh të bisedimeve është arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formulën e përfaqësimit të Kosovës dhe mënyrës së përdorimit të fusnotës në përfaqësimin rajonal, njofton Tv Kohavizion. Sipas burimeve të njëjta në Bruksel, marrëveshja është arritur, por ende nuk janë bërë publike hollësitë, se si është bërë renditja e shënimeve në fusnotë dhe a është përfshirë aty edhe Deklarata e Pavarësisë.

Shumë shpejt pritet edhe konfirmimi i saj nga zyrtarët qeveritarë dhe ata të BE-së. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2012, ora 14:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori