Arrestohet Liburn Aliu, reagon Vetëvendosje
Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun.

Atij i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Aliu është përfshirë në një rrahje me asambleistin e PDK-së, Muhamet Selmani në një restorant të qytetit. Ai që nga pasditja është marrë në pyetje nga Policia ndërkaq arrestimin e tij e ka urdhëruar prokurorja kujdestare që është marrë me rastin.

Arrestimi i Liburn Aliut bërë nga Policia e Kosovës ka nxitur reagimin e Lëvizjes "Vetëvendosje".

Sipas këtij subjekti politik, policia po hesht krimin urbanistik duke arrestuar drejtorin që po e lufton këtë krim.

Ja reagimi i plotë i VV-së

Policia hesht krimin urbanistik, arreston Drejtorin që po e lufton këtë krim.

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, lidhur me rastin për të cilin u akuzua sot.

Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë. Për më tepër, arrestimi i Drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve të cilët për interesat e tyre të ngushta personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdohet edhe më tutje në Komunën e Prishtinës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta lirojë menjëherë Drejtorin Aliu, dhe që bashkë me gjykatat t’i hetojnë dhe t’i arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet që tashmë Liburn Aliu i ka dorëzuar para organeve kompetente, dhe që lidhen direkt me kaosin urbanistik të cilin po e lufton ai. Luftën ndaj krimit urbanistik në Komunën e Prishtinës, nuk mund ta ndal më askush./albeu.com/

Shtuar më 10/04/2015, ora 21:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori