Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë për herë të 8-të duke mposhtur në finale Laçin (VIDEO)

Vllaznia ka fituar Kupën e Shqipërisë në finalen kundër Laçit dhe përveç trofeut që i shtohet kabinetit, është edhe pjesëmarrja në Europë. Golat nga Hoxhaj dhe Adili, përmbysën golin e shpejtë të Guindo dhe pas 120 minutave lojë, Vllaznia triumfoi me rezultatin 2-1.

Në “Air Albania”, u zhvillua një finale shumë e luftuar mes dy skuadrave dhe praktikisht, nisi me gol, pasi që në minutën e pestë, kurbinasit kalojnë në avantazh. Laçi bën një kundërsulm perfekt dhe në fund të aksionit, është bomberi Guindo, i cili shënon me të majtën.

Vllaznia nuk u shokua nga ky gold he arriti të reagojë shpejt. Në minutën e 18-të, Latifi dhuron spektakël nga krahu i majtë dhe kroson në mënyrë të shkëlqyer. Ardit Hoxhaj është i lirë në zonë dhe me një gjuajtje me kokë, shënon në portën e Laçit.

90 minutat e rregullta të takimit u mbyllën në barazim 1-1, ndërsa në shtësë, Mevlan Adili realizoi një supergol nga distancë e largët, për t’i dhënë fitoren shkodranëve, si dhe Kupën e 8-të të Shqipërisë. Vllaznia do të marrë pjesë në UEFA Conference League, duke lënë jashtë Europës klubin e Kukësit.