Kim Jong Un në gjendje të rëndë për jetën, CIA vendoset në lëvizje

Mediat në SHBA raportojnë se inteligjenca amerikane është duke kërkuar infomacione të hollësishme rreth shëndetit të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, që sipas tyre është duke kaluar një moment kritik për jetën. Dyshohet se Kim Jon Un i është nënshtruar një operacioni që lidhet me sëmundjet e zemrës ditëve të fundit.

Një burim i dytë i njohur me inteligjencën i tha CNN se SHBA ka qenë duke monitoruar nga afër raportet mbi shëndetin e Kim, ku së fundi ai humbi festimin e ditëlindjes së gjyshit të tij në 15 Prill, gjë që ngriti spekulime për mirëqenien e tij. Ai ishte parë katër ditë para kësaj në një mbledhje qeverie, por që prej asaj dite detajet kanë qenë të pakta.

Një zyrtar tjetër amerikan i tha CNN të hënën se shqetësimet për shëndetin e Kim janë të besueshme, por nëse janë apo jo të rënda është e vështirë të vlerësohet. Daily NK, një gazetë në internet me qendër në Korenë e Jugut që përqendrohet në Korenë e Veriut, raporton se Kim thuhet se i është nënshtruar një ndërhyrje në sistemin kardiovaskular më 12 prill.

Gjendja e Kim dyshohet se është përkeqësuar për shkak të “pirjes së duhanit, mbipeshes dhe punës së tepërt”, sipas faqes së lajmeve, dhe tani po merr trajtim në një vilë në qarkun Hyangsan pas operacionit. Pasi vlerësuan se gjendja e Kim ishte përmirësuar, shumica e ekipit mjekësor që po e trajtonte atë u kthyen në Pyongyang më 19 prill dhe vetëm një pjesë e tyre mbeti për të mbikëqyrur situatën e tij të rimëkëmbjes, sipas faqes së lajmeve. CNN nuk është në gjendje të konfirmojë në mënyrë të pavarur raportin.

Një burim i Koresë së Jugut i tha CNN të hënën se drejtuesit më të lartë të vendit janë shumë të vetëdijshëm për raportet në lidhje me gjendjen shëndetësore të Kim, por nuk mund të verifikojnë në mënyrë të pavarur detajet e publikuara nga Daily NK. Burimi pranoi se problemet e Kim-it lidhur me peshën dhe pirjen e duhanit janë të njohura, por e bëri të qartë se ata janë duke pritur për më shumë informacion.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut dhe Ministria e Mbrojtjes kanë dhënë një “asnjë koment”, pas interesimit të gazetarëve. Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranuan të komentojnë lidhut me informacionet rreth Kim.Koreja e Veriut kontrollon fort çdo informacion që rrethon liderin e saj, i cili trajtohet pothuajse si një hyjni brenda vendit.

Mungesat e tij nga media zyrtare shtetërore shpesh ngjallin spekulime dhe zëra për shëndetin e tij. Koreja e Veriut nuk ka shtyp të lirë dhe shpesh është një vrimë e zezë kur bëhet fjalë për udhëheqjen e vendit. Kim u shfaq për herë të fundit në mediat shtetërore të Koresë së Veriut më 11 Prill. 15 Prilli është një nga ditët më të rëndësishme të Koresë së Veriut, përvjetori i lindjes së babait themeltar të vendit, Kim Il Sung, ditë e cila u kalua në heshtje sa i takon lëvizjeve të Kim Jong Un .

“Ka pasur një numër zërash të kohëve të fundit në lidhje me shëndetin e Kim (pirja e duhanit, zemra dhe truri). Nëse Kim është shtruar në spital, kjo do të shpjegojë pse ai nuk ishte i pranishëm në festimet e rëndësishme të 15 Prillit,” tha Bruce Klingner, ish-shefi i divizionit të CIA-s për Korenë e Veriut. “Por, me kalimin e viteve, ka pasur një mori thashethemeve të rreme shëndetësore në lidhje me Kim Jong-un ose babanë e tij. Do të duhet të presim dhe të shohim.”


Shtuar 21.04.2020 06:48