“Dasmë dhe plumba”, infermierja dhe doktori ukrainas “kurorëzojnë” dashurinë mes rrënojave në Kharkiv (FOTO & VIDEO)

Pavarësisht se lufta në Ukrainë është ashpërsuar tej mase edhe për civilët, një infermiere dhe një doktor kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në martesë mes rrënojave.

Duket se dashuria e tyre ka qenë mjaft e fortë dhe ngjarjet e fundit në Ukrainë nuk mund ta ndalinin këtë zhvillim.

Shpresa që “rritet” nëpër rrënojat e luftës mund të marrë forma të ndryshme, si për shembull imazhi i një çifti të dashuruar që vendos të zyrtarizojë marrëdhënien e tyre në mes të një pushtimi  të egër të vendit të tyre, duke e ditur mirë se sa i çmuar është çdo moment.

Të sapomartuarit Anton Sokolov dhe Nastya Gratseva u fotografuan menjëherë pas dasmës së tyre në rrënojat e një kompleksi zyrash dhe dyqanesh në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.

Ndër të tjera në raportimet e mediave të huaja thuhet se para shpërthimit të luftës, Nastia punonte si infermiere në klinikën onkologjike ku Antoni ushtronte mjekësi, ndërsa gjatë luftës ato janë bërë vullnetarë dhe ofrojnë shërbimet e tyre mjekësore për këdo që ka nevojë, ndërsa mbledhin para për blerjen e furnizimeve mjekësore.

Kharkiv ka qenë vazhdimisht në shënjestër të bombardimeve të rënda që nga fillimi i luftës. Vetëm dje, guvernatori lokal njoftoi se forcat ruse kishin bombarduar sërish qytetin, duke vrarë dhe plagosur një numër njerëzish.