Arrestimet në veri të Kosovës, policia jep detaje
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar disa persona përfshirë zyrtarë policorë pas një operacioni në Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut. Ata kanë njoftuar se ka pasur edhe rezistencë të armatosur në veri.

Sipas një komunikate, të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj, përcjell zeri.info.

Këtij aksioni sipas tyre i ka prirë një hetim i mëhershëm ndërsa poashtu njoftohet se rreth detajeve të realizimit të këtij operacioni të gjerë do të ketë në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja.

Komunikata e plotë

Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin PolicorKosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale.

Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja:

Sqarim:

Për lokacionin, kohën dhe pjesëmarrësit në këtë konferencë do të njoftoheni me kohë përmes ftesës zyrtare.

Me respekt

Zyra për Informim
Shtuar më 28/05/2019, ora 08:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori