Apeli merr vendim për mjekët e rastit "Arbenita Spahiu"
Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e Themelores për tri mjekët e Gjilanit që akuzoheshin rreth rastit të Arbenita Spahiut.

Në këtë mënyrë, kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 31.05.2017, me anë të të cilit të akuzuarat M.S., H.Z., ishin liruar nga akuza për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa V.K. për “Mosdhënie të ndihmës mjekësore” nga neni 261 i të njëjtit kod.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, ndër të tjera thuhet se vendim i gjykatës së shkallës së parë është i qartë dhe konkret, në të janë dhënë arsye për faktet vendimtare, janë arsyetuar provat dhe drejt është vepruar kur është konsideruar se në veprimet e të akuzuarave nuk qëndrojnë elementet e veprave penale për të cilat ato ishin ngarkuar.

Gjykata e shkallës së parë, po ashtu, ka arsyetuar secilën provë veç e veç, të njëjtat i ka ndërlidhur në mes vete duke arsyetuar faktin se përse disa provave ua ka falë besimin e disave jo, si dhe arsyeve në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje penalo-juridike.

Gjykata Themelore në Gjilan në maj të këtij viti kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurave M. Sh., H. Z. dhe V. K.

Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. janë akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit se me datë 03.03.2016 në Spitalin Regjional në Gjilan, me rastin e trajtimit të pacientes, tani e ndjerë Arbenita Spahiu (27 vjeçe), gjatë dhënies së ndihmës mjekësore, me dashje eventuale kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes dhe nuk i kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë lindjes, ndërsa e pandehura V. K. si mjeke kujdestare në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes.

Mjeket-gjinekologe Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri e Vjollca Kosumi ishin liruar nga GjykataGjilan në maj të këtij viti. Atëherë gjykata në vendimin e saj konstatoi se “prokuroria nuk ka paraqitur fakte që do ta vërtetonin përgjegjësinë e të akuzuarave”.


Shtuar më 04/10/2017, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori