Apeli anulon vendimin për paraburgimin e 11 imamëve, rasti kthehet në Gjykatën Themelore
Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të 11 personave të dyshuar për vepra penale kundër rëndit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe ka vendosur që aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit, PPR.KR.nr.464/2014, i datës 19.09.2014, të anulohet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë për rivendosje, thuhet në komunikatën e gjykatës, raporton Anadolu Agency.

Deri në marrjen e një vendimi të ri nga ana e kësaj të fundit, të pandehurit Bedri Roba, Enes Goga, Mazllam Mazllami, Fuad Ramiqi, Dardan Gjuka, Eroll Nesimi, Leonard Ruli, Sabahudin Selimi, Shefki Koraçi, Idriz Bilibani do të qëndrojnë në paraburgim ndërsa, kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit konstatoi po ashtu se ankesat e dy të pandehurve tjerë të këtij rasti Enis Rama dhe Ekrem Avdiu, janë jo lëndore.

Gjykata e Apelit vlerëson se aktvendimi i shkallës së parë i kundërshtuar me ankesa, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 i Kodit të Procedurës Penal të Kosovës, ngase në arsyetimin e tij, nuk janë paraqitur arsye përkitazi me faktin vendimtar apo kushtin elementar (dyshimin e bazuar), i cili duhet të plotësohet për t’iu caktuar dikujt paraburgimi.

Javën e kaluar, janë liruar imamët Enis Rama dhe Ekrem Avdiu, të cilët ishin arrestuar më 17 Shtator, pasi që paraprakisht, Gjykata e Apelit në Prishtinë me aktvendim i ka liruar nga paraburgimi dy imamët ndërsa ishte anuluar vendimi për një muaj paraburgim për imamin Shefqet Krasniqin dhe rasti i tij po ashtu ishte kthyer për rishqyrtim në Gjykatën Themelore.
Shtuar më 02/10/2014, ora 20:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori