Fitojnë Ballkani dhe Gjilani

Gjilani ka shënuar fitoren e parë këtë sezon në Superligën e Kosovës.

Skuadra që edicionin e kaluar përfundoi në vendin e dytë, ka mposhtur 0-1 KF Llapin në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, të mërkurën pasdite.

Darko Nikac ka shënuar golin e fitores për Gjilanin, duke shënuar në minutën e 62’.

Para golit, Gjilani pati mundësi të mirë shënimi, por Fiton Hajdari ka dështuar nga pika e penalltisë.

Kjo ishte fitorja e parë e Gjilanit këtë sezon, që në xhiron e parë ishte mposhtur nga Feronikeli.

Ballkani ka shënuar edhe fitoren e dytë në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur 3:2 Feronikelin në Therandë.

Skuadra e Ismet Munishit pati një pjesë të parë të jashtëzakonshme, duke e dominuar Feronikelin.

Mirlind Daku në minutat 6’ dhe 24’, shënoi për epërsinë 2:0 në pjesën e parë.

Në minutën e 63’, Daku kompletoi ‘het-trikun’, duke shënuar për 3:0.

Fundi i ndeshjes ishte i vështirë për Ballkanin, me Feronikelin që shënoi dy gola.

Ishte Marclei që shënoi në minutat 85’ dhe 88’.

Pavarësisht përpjekjeve të Feronikelit, rezultati mbeti i pandryshuar, me Ballkanin që merr edhe fitoren e dytë, në po kaq ndeshje.


Shtuar 23.09.2020 16:35