ANALIZË/ Kosova, Katalonja, fantazma jugosllave dhe e drejta ndërkombëtare
Pëlqej
Nga Dr.Erjon Muharremaj

Zhvillimet e fundit pas referendumit të Katalonjës kanë rindezur pretendimet serbe mbi Kosovën dhe janë shoqëruar nga një aksion diplomatik i orkestruar për të vendosur shenja barazie midis tëdy rasteve.

Menjëherë pas referendumit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç thirri ministrat dhe shefat e sigurisë për bisedime, pasi zëdhënësi i Komisionit Evropiantheksoi senuk mund të bëhen krahasime midis Spanjës dhe Serbisë dhe se pavarësia e Kosovës ndodhi në një kontekst shumë specifik.

Gjatë takimit të hënën me homologun e tij grek Prokopis Pavlopulos, presidenti Vuçiçu shpreh i “habitur” se si ishte e mundur që referendumi i Katalonjës të konsiderohej i paligjshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës, jo.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç akuzoi shtetet që kanë njohur Kosovën për standarde të dyfishtë, duke refuzuar njohjen e Katalonjës, por duke pranuar atë të Kosovës.

Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, të dy rastet janë krejtësisht të ndryshëm dhe vendosja e shenjës së barazisë midis tyre është në rastin më të mirë interpretim i shtrembëruar i së drejtës ndërkombëtare, për të mbuluar arsyet e vërteta të këtij qëndrimi.

Referendumi i së dielës në Katalonjë u argumentua nga autoritetet vendore si ushtrim si së drejtës për vetëvendosje. E drejta e vetëvendosjes përfshin dy aspekte, aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Aspekti i brendshëm i vetëvendosjes përfshin të drejtën e popujve për të zgjidhur vetë çështjet e tyre të brendshme, të zgjedhin organizimin e tyre politik dhe të drejtën për të votuar mbi vendimet që kanë të bëjnë me ta, brenda institucioneve të shtetit, me fjalë të tjera, të drejtën për autonomi të brendshme. Ndërsa aspekti i jashtëm i vetëvendosjes nënkupton të drejtën e popujve për të dalë si një entitet i veçantë shtetëror në kuadrin e komunitetit ndërkombëtar, i dallueshëm nga entitetet e tjerë dhe i aftë të hyjë në marrëdhënie me ta, të drejtën për t’u shkëputur nga autoriteti politik dhe kushtetues i një shteti me synim daljen e një shteti të ri në arenën ndërkombëtare, me fjalë të tjera, të drejtën për shkëputje, për pavarësi të jashtme.

Në një shtet federal, shkëputja paraqitet në formën e daljes nga federata të një njësie territoriale, si një entitet i pavarur. Ky është një akt juridik, po aq sa edhe politik.Në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore, parimi i vetëvendosjes u njoh fillimisht në Kartën e OKB-së, si i domosdoshëm për zhvillimin e marrëdhënieve paqësore dhe miqësore midis shteteve.

Përgjatë viteve 50’ dhe në fillim të viteve 60’, mbizotëronte pikëpamja e përgjithshme se e drejta e vetëvendosjes u rezervohej ekskluzivisht vetëm popujve që jetonin nën zgjedhën koloniale dhe kjo u përforcua akoma më tepër edhe nga Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme 1514 (XV) dhe 1541 (XV).

Në rezolutën e parë përcaktohej shprehimisht se: “Të gjithë popujt gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes; bazuar në këtë të drejtë, ata zgjedhin lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.” Në lidhje me këtë çështje, e drejta ndërkombëtare ndoqi shembullin e politikës, e cila solli në arenën ndërkombëtare mbi njëqind shtete të rinj.

Me marrjen hov të procesit të shkolonizimit dhe rritjen e vëmendjes ndaj të drejtave të njeriut, neni 1 i njëjtë i dy Pakteve kryesorë ndërkombëtarë të vitit 1966, Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe Paktit për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, përfaqësonte një hap të madh përpara, drejt njohjes së vetëvendosjes si një e drejte civile dhe politike, po ashtu edhe si një e drejtë ekonomike, sociale dhe kulturore, e të gjithë popujve.

Përcaktimi i vetëvendosjes si një parim juridik në të drejtën ndërkombëtare u forcua më tej nga Deklarata mbi Marrëdhëniet Miqësore, e vitit 1970.

Ky dokument është më konkret se pararendësit e tij dhe e zgjeron fushën e veprimit të parimit edhe ndaj popujve “[n]ën një varësi, sundim dhe shfrytëzim të huaj [...]” dhe në mënyrë të qartë shprehet se një qeveri sovrane duhet të përfaqësojë: “[t]ë gjithë popullin e një territori të caktuar, pa dallim race, besimi apo ngjyre.”

Në të përcaktohet shprehimisht se: “Në sajë të parimit të të drejtave të barabarta dhe të drejtës për vetëvendosje të popujve, të mishëruar në Kartën e OBK-së, të gjithë popujt kanë të drejtën për të përcaktuar lirisht, pa ndërhyrje të jashtme, statusin e tyre politik dhe të ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor, dhe çdo shtet ka detyrimin për të respektuar këtë të drejtë, në përputhje me dispozitat e Kartës.”

Në Rezolutën 2649 (XXV) të 30 Nëntorit 1970, Asambleja e Përgjithshme e OKB mori në konsideratë Rezolutën VIII të Konferencës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut (Teheran, 1968), theksoi rëndësinë e realizimit të përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje të popujve dhe dhënien e shpejtë të pavarësisë vendeve dhe popujve nën sundim kolonial duke garantuar në mënyrë efektive respektimin e të drejtave të njeriut.

Duke shprehur shqetësimin e saj që shumë popujve u mohohej ende e drejta për vetëvendosje dhe që vazhdonin të ishin nën një sundim kolonial të huaj, Asambleja e Përgjithshme e konsideroi të nevojshme vazhdimin e punës për sigurimin dhe garantimin ndërkombëtar të respektimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje.

Deklarata e Helsinkit e vitit 1975 shkon edhe më tej, duke deklaruar në Parimin VIII të saj që: “Në bazë të parimit të të drejtave të barabarta dhe të drejtës për vetëvendosje të popujve, të gjithëpopujt kanë gjithmonë të drejtë, që në liri të plotë, kurdo dhe sido që ata dëshirojnë, të përcaktojne statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm, pa ndërhyrje nga jashtë, dhe të ndjekin siç dëshirojnë, zhvillimin e tyre politik, ekonomik, social dhe kulturor.”

Një deklaratë e tillëdo të konsiderohej si zbatim i parimit të vetëvendosjes përtej kontekstit kolonial, sikur të mos ishte angazhimi i prerë për ruajtjen e sovranitetit territorial dhe të kufijve ekzistues, të shpallur në të njëjtin dokument, në Parimet III dhe IV.

Tendencat për shkëputje që mund të shfaqeshin si rezultat i parimit të vetëvendosjes morën vëmendjen e Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (KSBE, sot OSBE), përmes afirmimit të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve brenda shteteve ekzistuese.

Gjatë takimit të KSBE në Kopenhagen, “Mbi Dimensionin Njerëzor”, disa nga shtetet anëtare propozuan që minoriteteve t’u garantohej e drejta për autonomi. Kjo nuk u pranua dhe kështu dispozitat e pjesës IV të dokumentit të Kopenhagenit mbeten shumë të moderuara.

Kjo vërehet edhe në njohjen në mënyrë të shprehur që shtetet pjesëmarrëse, do të veprojnë në çdo kohë, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkit: “[n]ë përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe me normat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato që kanë të bëjnë me integritetin territorial të shteteve.

Shtetet pjesëmarrëse konfirmojnë angazhimin e tyre në mënyre rigoroze dhe efektive për të respektuar parimin e integritetit territorial të shteteve. Ato do të heqin dorë nga çdo lloj shkelje e këtij parimi dhe nga çdo veprim që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka për qëllim të cënojë integritetin territorial, pavarësinë politike ose unitetine një shteti, në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, detyrimet që burojnë nga normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitat e Aktit Final [të Helsinkit].

Shtetet pjesëmarrëse nuk do të njohin si të ligjshëm asnjë veprim ose situatë që është në kundërshtim me këtë parim.” Gjithashtu, Karta e KSBE e Parisit, e vitit 1990, të drejtën për vetëvendosje kombëtare ia “nënshtron” në mënyrë efektive të drejtës për ruajtjen e integritetit territorial të shteteve ekzistuese.
Në vitin 1993, Konferenca Botërore e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi Deklaratën e Vjenës dhe Programin e Veprimit, të cilat ripohuan përcaktimet e bëra në nenin 1 të dy Pakteve të vitit 1966, të përmendur më sipër.

Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Kombeve të Bashkuara, në 9 Nëntor 1995, gjithashtu vuri theksin mbi të drejtën për vetëvendosje, duke pohuar që shtetet anëtare të OKB-së do të: “Vazhdojnë të afirmojnë të drejtën për vetëvendosje të të gjithë popujve, duke marrë në konsideratë situatën e veçantë të popujve nën sundim kolonial ose nën forma varësie apo pushtimi të huaj dhe njohin të drejtën e popujve për të ndërmarrë veprime të ligjshme për të realizuar të drejtën e tyre të patjetërsueshme për vetëvendosje, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Kjo nuk duhet të konsiderohet si autorizim ose inkurajim i çdo veprimi që do të prekte apo cënonte, tërësisht ose pjesërisht, integritetin territorial ose unitetin politik të shteteve sovrane e të pavarura, që veprojnë duke respektuar parimin e të drejtave të barabarta dhe të drejtën e vetevendosjes së popujve, duke patur kështu një qeveri që përfaqëson të gjithë popullsinë e territorit të këtij shteti, pa asnjë dallim të çfarëdo lloji.”

Edhe pse të gjithë këto dokumente u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nga KSBE-ja, në formën e rezolutave dhe deklaratave dhe si “ligj i butë” nuk kanë fuqi detyruese në të drejtën ndërkombëtare, këto tregojnë qëndrimin mbizotërues në bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me parimin e vetëvendosjes. Sidoqoftë, ky parim ka kufizimet e tij.

Ushtrimi i së drejtës për vetëvendosje, në mënyrë të pashmangshme bie ndesh me parimin e ruajtjes së integritetit territorial të shteteve, i afirmuar ky në mënyrë të prerë në të drejtën ndërkombëtare shumë kohë më parë se parimi i vetëvendosjes, dhe ç’është më e rendësishme, bie ndesh me parimin uti possidetis (parimi i mos-ndryshimit të kufijve), parim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konfirmuar në çështjen e kufijve midis Burkina Fasos dhe Malit.

Madje edhe në tekstin e Deklaratës për Marrëdhënie Miqësore, këto kufizime shprehen qartë: “Asgjë në paragrafët e mësipërm nuk do të interpretohet si autorizim ose inkurajim i çdo veprimi që do të prekte apo cënonte, tërësisht ose pjesërisht, integritetin territorial ose unitetin politik të shteteve sovranë e të pavarur [...]”.

Praktika shtetërore ka qenë në vazhdimësi dhe në shumicën dërrmuese të rasteve në mbështetje të ruajtjes së sovranitetit territorial të shteteve. Që nga krijimi i OKB-së, rastet e pakta tëshkëputjes të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare përfshijnë shkëputjen e Bangladeshit nga Pakistani, shkëputjen e Sudanit të Jugut dhe shkëputjen e Kosovës.

Për shkak të paligjshmërisë së shkëputjes, bashkësia ndërkombëtare vazhdon t’i mohojë njohjen Republikës Turke të Qipros Veriore pas pushtimit të pjesës veriore të ishullit të Qipros në vitin 1974.

Në të drejtën ndërkombëtare, e drejta për vetëvendosje nuk do të thotë automatikisht e drejtë për shkëputje. Po të ishte kështu, shtetet federale do të pushonin së ekzistuari. Në Opinionin Nr. 2 të tij, Komisioni i Arbitrazhit të Komunitetit Evropian për Jugosllavinë (Komiteti Badinter), deklaroi se: “Atje ku brenda një shteti, ekzistojnë një ose më shumë grupe në përbërje të një ose më shumë komuniteteve etnike, fetare, gjuhësore, ata kanë të drejtën e njohjes së identitetit[theksimi im] të tyre sipas të drejtës ndërkombëtare.” Komiteti ishte i mendimit se serbët e Bosnje-Hercegovinës dhe të Kroacisë duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si minoritet dhe si grup etnik, sipas të Drejtës Ndërkombëtare.

Opinionet e Komitetit Badinter u reflektuan edhe në “Udhëzimet e Komunitetit Evropian mbi njohjen e shteteve të rinj në Europën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik” të 16 Dhjetorit 1991.

Në çështjen“Referenca për shkëputjen e Kebekut (Quebec)” të vitit 1998, Gjykata e Lartë e Kanadasë i bëri një analizë të hollësishme parimit të së drejtës për vetëvendosje. Pasi studjoi me imtësi situatën reale të së drejtës për vetëvendosje në kudër të së drejtës ndërkombëtare, në vendimin e saj gjykata deklaroi se: “Në të drejtën ndërkombëtare, e drejta për shkëputje lind në zbatim të parimit të vetëvendosjes kur ‘një popull’ është në përbërje të një perandorie koloniale; ‘një popull’ është nën një varësi, sundim dhe shfrytëzim të huaj; si edhe ndoshta, kur ‘një populli’ i mohohet çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit është.

Në rastet e tjerë, prej popujve pritet që të ushtrojnë të drejtën e vetëvendosjes brenda kuadrit të shtetit ku jetojnë[theksimi im]. Një shtet, qeveria e të cilit është përfaqësuese e të gjithë popullit apo popujve që jetojnë në territorin e tij, mbi bazën e barazisë dhe pa diskriminuar dhe që respekton parimin e vetëvendosjes në marrëdhëniet e tij të brendshme, gëzon të drejtën të ruajë sovranitetin e tij territorial sipas të drejtës ndërkombëtare dhe që ky sovranitet t’i njihet nga shtetet e tjerë.” Prandaj, gjykata i dha përgjigje negative kërkesës së Kebekut për shkëputje.

Sigurisht, populli i Katalonjës nuk bën pjesë në asnjë prej këtyre tre kategorive, pasi nuk ndodhet nën një zgjedhë koloniale, as edhe nën ndonjë sundim apo shfrytëzim të huaj. Përkundrazi, në rastin e Katalonjës, popullsia e saj gëzon të gjitha të drejtat e një demokracie evropiane perëndimore, të garantuara nga Kushtetuta e Spanjës e vitit 1978.

Në stadin e saj aktual, e drejta ndërkombëtare pranon që e drejta për vetëvendosje të ushtrohet nga popujt brenda kuadrit të shteteve sovrane ekzistuese, duke ruajtur kështu sovranitetin territorial të tyre. Kur kjo nuk është e mundur, në rrethana të jashtëzakonshme, mund të lindë e drejta për shkëputje, siç ishte rasti i Kosovës.

Rasti i Kosovës përfshihet pa asnjë dyshim në kategorinë e tretë të përmendur më sipër në vendimin e Gjykatës së Lartë të Kanadasëpër shkëputjen e Kebekut, vis-à-vis qeverisë serbe nën regjimin mizor të Millosheviçit.

Me fjalë të tjera, e drejta për shkëputje i është njohur popullit të Kosovës në zbatim të parimit të vetëvendosjes, për shkak se atij i ishte mohuar çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit ishte. Sipas normave mbizotëruese të së drejtës ndërkombëtare, shqiptarëve të Kosovës u ishte mohuar e drejta për ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje të brendshme.

Pretendimet e shqiptarëve të Kosovës u bazuan në parimin e vetëvendosjes, e për këtë hartuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.

Duke analizuar statusin e mëparshëm juridik të Kosovës nën juridiksionin jugosllav, edhe dispozitat e Kushtetutës së vitit 1974, relativisht më të favorshmet për shqiptarët e Kosovës, nuk iu garantonin atyre të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje.

Rëndësia e tyre qëndronte në faktin se ato garantonin një kuadër ligjor në të cilin provincat autonome shiheshin si entitete gjysmë të pavarura, marrëdhëniet e të cilave me Federatën Jugosllave ishin të mbështetura në bashkëpunim dhe marrëveshje. Kur vendimet federale konsideroheshin si në kundërshtim me interesat e tyre, provincat autonome kishin të drejtë të barabartë me republikat, të drejtën e vetos.

Megjithatë, ndërsa republikat përcaktoheshin si ‘shtete’, ku vetëm ‘kombet’ (narod) konsideroheshin si njësi shtet-formuese, një përcaktimin i tillë nuk iu ofrohej Provincave Autonome, ku ‘kombësitë’ (narodnost) mund të kishin vetëm statusin e ‘gjysmë-republikave’.

Edhe pse dallimi midis ‘kombeve’ dhe ‘kombësive’ mund të mos jetë jetë shumë i qartë në terminologjinë e së drejtës kushtetuese, doktrina komuniste theksonte ndryshimet midis këtyre dy termave për t’u mohuar ‘kombësive’ të drejtën për t’u shkëputur, e drejtë që do të mund t’u garantohej nëse ato do të lejoheshin të formonin republikat e tyre.

Aq më tepër, kur ekzistonte një shtet tjetër i pavarur ku banonte një popull i të njëjtës kombësi. Rrjedhimisht, shqiptarët e Kosovës nuk do të gëzonin të drejtën për t’u shkëputur, aq më pak për t’iu bashkuar Shqipërisë.

Megjithatë, nëse ky parim do të ishte zbatuar në mënyrë të njëjtë në të gjithë vendet e kampit socialist, atëherë popullatës rumanisht-folëse të Moldavisë nuk duhej t’i jepej statusi i republikës brenda Bashkimit Sovjetik, për shkak të ekzistencës së një shteti të pavarur rumun.

Prandaj mund të arrihet në konkluzionin se forca e vërtetë shtytëse për mohimin e statusit të republikës për Kosovën në kuadrin e ish-Jugosllavisë nuk kanë qenë argumentet ligjorë, por ata politikë.

Politika të tilla nuk kanë qenë gjë tjetër veçse vazhdim i politikave që Fuqitë e Mëdha kishin ndjekur ndaj popullit shqiptar gjatë përpjekjeve të tij shtetformuese. Vetë kryeministri britanik Sir Edward Grey u shpreh në vitin 1913 se mohimi i së drejtës së vetëvendosjes ndaj popullit shqiptar, duke vendosur aneksimin e trojeve të tij shteteve fqinje, i shërbeu një interesi më të lartë, ruajtjes së marrëvëshjes midis Fuqive të Mëdha për Ballkanin, duke sakrifikuar kështu aspiratatat e populli të tërë.

Në lidhje me shkëputjen e Kosovës është shprehur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Opinionin Këshillimor të 22 korrikut 2010, mbi Përputhshmërinë me të Drejtën Ndërkombëtare të Deklaratës së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës.

Për sa i përket referimit që iu bë më sipër vendimit të Gjykatës së Lartë të Kanadasë, për kategorizimin e popullit shqiptar të Kosovës si posedues i të drejtës për vetëvendosje, GJND theksoi se pyetja drejtuar kësaj të fundit është thelbësisht e ndryshme nga ajo drejtuar gjykatës kanadeze, ku kërkohej mendim nëse e drejta ndërkombëtare autorizonte Asamblenë Kombëtare, legjislatorin, apo qeverinë e Kebekut që të deklaronin shkëputjen nga Kanadaja në mënyrë të njëanshme.

Sipas GJND, ndryshimi qëndronte në faktin se ndërsa gjykata kanadeze u pyet rreth garantimit të së drejtës për shkëputje nga e drejta ndërkombëtare, Asambleja e Përgjithshme kishte pyetur nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pa iu referuar të drejtës për shkëputje. Kështu që GJND argumentoi se kjo pyetje nuk i kërkonte asaj që të shprehej nëse e drejta ndërkombëtare lejonte entitetet në brendësi të një shteti që të shkëputeshin prej tij.

Mundet që një deklaratë e njëanshme pavarësie të mos jetë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që e drejta ndërkombëtare garanton ushtrimin e një të drejtë të tillë.

Në rastin e Kosovës, populli shqiptar i saj gëzonte të drejtën të shkëputej, duke realizuar të drejtën për vetëvendosje të jashtme, përderisa i ishte mohuar edhe e drejta më minimale për vetëvendosje të brendshme dhe ku shtypja dhe terrori ishin të përditshëm, përfshirëhelmimet masive të fëmijëve, që kulmuan me vrasjet masive të popullsisë civile në konfliktin e vitit 1999.

Kushtetuta serbe e vitit 1990 abrogoi fuqitë ligjore të Asamblesë së Kosovës. Ato kufizoheshin në marrjen e vendimeve dhe nxjerrjen e ligjeve të përgjithshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet serbe. Gjykata Kushtetuese serbe mori kompetencën të shfuqizonte aktet ligjore të institucioneve kosovare. Për më tepër, Asambleja e Kosovës humbi të drejtën e vetos për amendamentet e ardhshme të Kushtetutës serbe.

Masat diskriminuese kundër shqiptarëve u përforcuan nga një sërë ligjesh që u miratuan me qëllim konsolidimin e mbizotërimit të minoritetit serb në Kosovë.

Investimet u rezervuan për zonat me shumicë serbe dhe shtëpitë e reja të ndërtuara në Kosovë ishin vetëm për serbët, të kufizuara në bashki të veçanta mono-etnike. Ligji “Për aktivitetet e organeve të Republikës në rrethana të veçanta” u miratua për shtypjen e të vetmes gazetë në gjuhën shqipe ‘Rilindja’, shkrirjen e Akademisë së Arteve dhe Shkencës të Kosovës dhe heqjen nga puna të mijëra shqiptarëve të punësuar në sektorin publik.

Botimet në gjuhën shqipe ishin ndaluar, Instituti i Studimeve Shqiptare në Prishtinë ishte mbyllur, emrat e vendeve ishin ndryshuar rregullisht nga shqiptarë në serbë, të gjithë punonjësit shtetërorë që mbështetnin lëvizjen për pavarësi u pushuan nga puna.

Filloi zbatimi praktik i një programi për serbizimin e Kosovës duke sjellë refugjatë serbë të luftës nga Bosnja dhe Kroacia, ku disa prej tyre u sistemuan në godinën e Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e shpallur si Pasuri Botërore nga UNESKO.
Për më tepër, Kosova u përdor vazhdimisht si një mjet për të nxitur pasionet nacionaliste nga grupet kriminale paraushtarake që kishin kryer krime mizore gjatë luftërave në Bosnje dhe Kroaci.

Madje, udhëheqësi më famëkeq i një grupi të tillë, Arkani, u zgjodh si përfaqësues i njërës prej zonave elektorale për në Asamblenë e Serbisë. Në një nga fjalimet e tij, ai i quajti banorët shqiptarë të Kosovës si ‘të ardhur rishtas’ nga Shqipëria në pesëdhjetë vitet e fundit, dhe ata duhen konsideruar si ‘turistë’.

Parlamenti serb imponoi masa që synonin krijimin e një programi uniform mësimor për të gjitha shkollat në Kosovë, duke përmbushur kështu planin për serbizimin e saj.

Të gjitha këto, nuk kanë asgjë të përbashkët me situatën e popullsisë së Katalonjës. Nenet 137 e vijues të Kushtetutës spanjolle garantojnë të drejtën e vetëqeverisjes për të gjitha njësitë administrative territoriale: bashkitë, provincat dhe Komunitetet Autonome (siç është Katalonja, brenda Mbretërisë së Spanjës, me statusin e një Rajoni Historik), ku të gjitha këto gëzojnëtë drejtën për t’u vetëqeverisur lirisht, për realizimin e interesave dhe të drejtave të tyre. Pika 2 e nenit 138 të Kushtetutës spanjolle sanksionon se ndryshimet midis statuteve të Komuniteteve Autonome nuk nënkuptojnë në asnjë rast privilegje ekonomikeapo sociale.

Të gjithë spanjollët kanë të njëjtat të drejta e detyrime në cilëndo pjesë të tërritorit të Spanjës. Asnjë autoritet nuk lejohet të marrëçfarëdolloj mase që mund të pengojë eventualisht në mënyrë direkte apo indirekte lirinë e lëvizjes e të vendosjes në cilëndo pjesë të territorit.

Më tej, neni 148 u garanton Komuniteteve Autonome kompetenca në lidhje me organizimin e institucioneve të vetëqeverisjes, ndryshimin e ndarjeve administrative brenda tyre, planifikimin e territorit, politikat e strehimit, veprat publike, transportin, bujqësinë, peshkimin, pyjet, gjuetinë, promovimin e zhvillimit ekonomik brenda objektivave të politikës kombëtare ekonomike, promovimin e kulturës, kërkimit, monumenteve me vlerë, etj. Katalonja vetëqeveriset lirisht e në mënyrë demokratike nëpërmjet organeve të veta që përfshijnë Parlamentin, Presidentin (e Generalitat-it, siç emërtohet Katalonja)dhe KëshillinEkzekutiv (qeveria). Pra vetëqeverisja në Katalonjëështë në nivelin më të lartë, brenda një demokracie e një shteti të së drejtës.

Pëveç këtyre, Gjykata Kushtetuese spanjolle e ka deklaruar antikushtetuese Rezolutën 1/XI të Parlamentit të Katalonjës të 9 Nëntorit 2015, e cila shënonte fillimin e procesit politik që kishte si objektiv krijimin e shtetit të pavarur të Katalonjës, si republikë.

Në vendimin e saj të 2 dhjetorit 2015, Gjykata Kushtetuese spanjolle argumentoi se kjo rezolutë binte ndesh me parimet e ligjshmërisë dhetë demokracisë. Veçanërisht në lidhje me këtë të fundit, gjykata theksoi se parimi i demokracisëlidhet me dy premisa themelore të rendit kushtetues: pluralizminpolitik dhe pluralizmin territorial.

Pluralizmi politik është një nga vlerat e larta të mbrojtura nga Kushtetuta spanjolle, gur themeli i sistemit të bashkëjetesës, të cilin e ka shfytëzuar vetë Parlamentii Katalonjës për hartimin e rezolutës së tij. Përveç pluralizmit gjuhësor dhe kulturor që mbrohen gjithashtu prej kushtetutës, rëndësi i duhet kushtuar edhe dimensionit të njohjes së autonomisë së kombësive dhe rajoneve.

Liria e parlamentit të Komunitetit Autonom është e kufizuar prej kushtetutës. Asnjë asamble ligjvënëse nuk mund të hartojë politika që bien ndesh me kushtetutën. Në rastin konkret, Parlamenti i Katalonjës i ka dhënë të drejtën atij vetë dhe Qeverisë së Katalonjës që të shkelin parimin e ligjshmërisë dhe të sovranitetit të popullit të Spanjës, pjesë e të cilit është edhe populli i Katalonjës.

Kjo, në kushtet kur Kushtetuta u njeh të gjithë individëve të drejtën e promovimit të veprimtarisë politike, të shprehjes lirisht të kombësisë së tyre, të drejtën e organizimit dhe të krijimit të partive politike, madje edhe të atyre që kanë në programin e tyre shkëputjen nga Spanja. Por kjo mund të realizohet vetëm në përputhje me procedurat kushtetuese.
Uniteti i kombit spanjoll nuk pengon njohjen e të drejtës së kombësive dhe të rajoneve për autonomi. E drejta për autonomi është në themel të Kushtetutës, së bashku me parimin e unitetit.

Duke ushtruar këtë të drejtë, Komunitetet Autonome janë të lira të ndjekin politikat e tyre, brenda kornizës kushtetuese, e si e tillë, Katalonja vetëqeveriset në përputhje me Kushtetutën.

Duke qenë se shteti i Spanjës është i mbështetur në parimet e shtetit të së drejtës dhe lejon zhvillimin e aspiratave të kombësive e rajoneve brenda tij, Gjykata Kushtetuese spanjolle e deklaroi rezolutën e Parlamentit të Katalonjës si antikushtetuese e të pavlefshme.

Siç u theksua më lart, prej popujve pritet që të ushtrojnë të drejtën e vetëvendosjes brenda kuadrit të shtetit ku jetojnë. Një shtet si Spanja, ku qeveria është përfaqësuese e të gjithë popullit apo popujve që jetojnë në territorin e tij, mbi bazën e barazisë dhe pa diskriminuar dhe që respekton parimin e vetëvendosjes në marrëdhëniet e tij të brendshme, gëzon të drejtën të ruajë sovranitetin e tij territorial sipas të drejtës ndërkombëtare.

Por, kur kur një populli i mohohet çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit është, siç ishte rasti i Kosovës nën Serbinë e Millosheviçit, lind e drejta për shkëputje nga një shtet i tillë brutal, në zbatim të parimit të vetëvendosjes.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB e la të hapur statusin e Kosovës, në pritje të zgjidhjes përfundimtare, duke mbajtur plotësisht parasysh Marrëveshjen e Rambujesë. Këshilli i Sigurimit zëvendësoi në mënyrë të pakthyeshme sovranitetin e Republikës Federative të Jugosllavisë mbi Kosovën me atë të OKB. Zgjidhja përfundimtare, pavarësia e Kosovës, erdhi si shprehje e vullnetit të popullit të saj.

Nuk mund të luhet drama e Hamletit pa patur skenën e fantazmës. Kjo dramë është luajtur në kurrizin e popullit shqiptar të Kosovës. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, rastet e Katalonjës dhe të Kosovës janë shumë të ndryshëm prej njëri-tjetrit dhe përpjekjet serbe për vendosur shenjën e barazisë midis të dy rasteve e për të ringjallur fantazmën jugosllave janë të pambështetura juridikisht e të destinuara për të qenë të dështuara.

Shënim: Dr.Erjon Muharremaj është Zv. Dekan te Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës./albeu.com/
Shtuar më 04/10/2017, ora 19:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori