Analistët serbë: Serbia i ka konsumuar zgjidhjet e mira për Kosovën, i ka mbetur më e keqja
Serbisë nuk do t’i lejohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pa një zgjidhje të qartë të çështjes së kufijve. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se vendimin e tij për Kosovën do ta shpallë brenda dy muajve të ardhshëm.

Dy dekada nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, Serbia ka konteste të pazgjidhura kufitare me pothuajse të gjitha vendet fqinje, me të cilat dikur ishte në një shtet të përbashkët, shkruan B92.

Megjithatë, ndoshta në këtë moment çështja më e rëndësishme është se, a do të mbetet vija aktuale kufitare- administrative me Kosovën?

“Në Strategjinë e BE-së, e cila së shpejti do të miratohet, thuhet se nga Serbia pritet një marrëveshje obligative juridike, që është një hyrje për zgjidhjen e statusit final dhe është e qartë se ajo ndoshta do të kërkojë një korrigjim të caktuar të kufirit, kështu që unë pasur kam një lloj të përgatitjes së terrenit”, thotë Marko Savkoviq nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike.

BE nuk dëshiron tëimportojë probleme bilaterale, sqarojnë në lëvizjen evropiane. Ndërsa një zgjidhje më pak e keqe për problemin e Kosovës e paralajmëron nga presidenti serb.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të mirë. Zgjidhjet e mira për Kosovën janë shpenzuar kaherë, neve na mbetet për të zgjedhur një të keqe më të vogël. E, zgjidhja më pak e keqe është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e Kosovës, sepse njohjen askush nuk po ma kërkon”, tha Suzana Grubjeshiq, e Lëvizjes Evropiane.

Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta japin qytetarët përmes një referendumi.

“Së pari, le të shohim se cila do të jetë pyetja, sa kohë do të zgjasë debati … Unë jam për referendum, por duhet të jetë rezultat i një debati më të gjerë”, tha analisti Branko Radun.

BE-ja është “djegur” në rastin e kontestit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë, prandaj Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ishte shumë konkret në Parlamentin Evropian kur e bëri të qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian, duhet së pari të zgjidhin të gjitha kontestet kufitare.

Të përkujtojmë se ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka deklaruar ditë më parë se nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) pa një marrëveshje me Kosovën. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2018, ora 20:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori