Analistët: Gjykata Speciale po mban peng riformatimin e Qeverisë
Kanë kaluar mbi tre muaj që ku postet qeveritare të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme kanë mbetur bosh, ndërsa Qeveria vazhdon ta zgjasë edhe më shumë plotësimin e këtyre vendeve.

Dhjetë ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, për KALLXO.com deklaroi se PDK-ja pret që brenda javës të përfundojë procesi i riformatizimit, por kjo nuk ndodhi.

“Ne si parti kemi propozuar zëvendëskryeministër Hajredin Kuçin, ministër të Punëve të Jashtme Enver Hoxhajn dhe ministër të Drejtësisë Gani Kocin”, deklaroi Musmurati.

Analisti Driton Selmani, zvarritjen e plotësimit të vendeve të zbrazëta në Qeveri e lidh me Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Speciale.

“PDK-ja ende nuk po mundet me gjet personin që do të ishte i gatshëm të ballafaqohet me sfidën ma të madhe pas shpalljes së pavarësisë, pasi atij ministri do t’i binte të përballej me akuzat e para, e ndoshta edhe me arrestimet e para”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

Ndërkohë edhe Nexhmedin Spahiu fajëson PDK-në për zvarritjen, pasi sipas tij kjo parti po dëshiron zgjedhje të reja.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishte kërkuar riformatizim të gjerë të Qeverisë më 10 maj, ndërsa sekretari i PDK-së, Musmurati, tetë ditë më vonë tha se në Qeveri do të plotësohen vetëm vendet e zbrazëta.

Dy postet qeveritare mbetën bosh pasi Hashim Thaçi, që i mbante ato, u zgjodh president më 26 shkurt./Albeu.com/
Shtuar më 29/05/2016, ora 09:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori