Shpërdorim detyre gjatë vrasjes së Pjerin Xhuvanit, gjykata jep vendimin për dy zv.drejtorët e policisë në Elbasan

Dy zëvëndësdrejtorët e policisë Elbasan, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit  gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 24 prillit, janë paraqitur ditën e sotme para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Albert Nushi ish drejtor krimesh në Elbasan dhe nëndrejtor i policisë Berat është paraqitur i pashoqëruar, madje pranë gjykatës ka pirë kafen me kolegët dhe më pas ka hyrë në gjykatë.

Kujtojmë se ndaj Nushit është vendosur masa e sigurisë arrest shtëpie. Kur doli nga seanca ai nuk pranoi të jepte koment për kamerat, duke thënë se vetëm se nuk është përfaqësuar me avokat.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore së bashku me Prokurorinë e Elbasanit kanë hetuar punonjësit e policisë për shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.

Gjykata la nën masën arrest shtëpie zëvendës drejtorin e policisë Berat, Albert Nushi i cili në momentin kur ndodhi ngjarja ishte zv drejtor për krimet në Elbasan. Në po të njëjtën masë sigurie u la edhe Nikollaq Palla Zv/drejtor për rendin dhe sigurinë publike në Policinë e Elbasanit.